Super sfida

Klopp nuk i gëzohet përballjes me Bayernin

Jurgen Klopp ka refuzuar të nënvlerësojë Bayernin pas shortit që caktoi Liverpoolin të përballet me bavarezët në 1\16-tën e finales në Champions League.

Dy skuadrat kanë pasur starte të ndryshme në kampionatet respektivie, me “The Reds” që janë lider në Premier League, kurse Bayerni ka mbetur 9 pikë prapa Borussia Dortmundit që kryeson në Bundesliga.

Sidoqoftë, Klopp është i vetëdijshëm për kërcënimin që paraqet kampioni në fuqi i Gjermanisë.

“Në fund është një ndeshje e nivelit të lartë që duhet ta luajmë. E kemi ditur që nga fillimi, nuk kishte asnjë nga ne që tha ‘faleminderit Zotit që është Bayerni’. Është një ndeshje e vështirë por në jemi në fazën e 16 skuadrave më të mira në Europë dhe jam i emocionuar për këtë gjë”, u shpreh Klopp.

Ish trajneri i Borussia Dortmundit e komentoi edhe rikthimin e tij në Gjermani, derisa me verdhë e zinjtë kishte fituar dy Bundesliga.

“Në vitet e fundit ata e kanë dominuar Bundesligën në periudhën më të mirë për futbollin gjerman. Mezi e pres këtë ndeshje për shkak se ka kaluar kohë e gjatë nga ndeshja e fundit që e kam luajtur kundër Bayernit. Jemi të vetëdijshëm se atmosfera, tifozët do të jenë madhështore. Është një udhëtim i mirë edhe për tifozët tanë sepse do të shohin një qytet të mrekullueshëm. Fakti që stafi dhe unë e njohim më mirë Bundesligën nuk është një avantazh i madh”, përfundoi Klopp.

Ballafaqimi i parë mes Liverpoolit dhe Bayernit do të zhvillohet me 19 shkurt në “Anfield”, kurse ndeshja kthyese luhet me 13 mars në “Allianz Arena”.