Ylli egjiptian

Klopp nuk është shqetësuar asnjëherë për formën e Salahut

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, ka insistuar se nuk është shqetësuar për asnjë moment lidhur me formën e sulmuesit egjiptian, Mohamed Salah, teksa ky i fundit realizoi 3 gola në ndeshjen e fundjavës së kaluar kundër Bournemouthit.

Ylli i “The Reds” është ende larg formës së jashtëzakonshme që e pati sezonin e kaluar, por së fundmi ka pasur rritje, derisa numëron 12 gola në 22 paraqitje në të gjitha kompeticionet.

Klopp nuk ka qenë aspak i shqetësuar lidhur me gjendjen e Salahut, pavarësisht se ish lojtari i Romës ishte kritikuar për mungesën e efikasitetit që e kishte edicionin e kaluar.

“Unë i kushtoj rëndësi momentit por nuk e ndërtoj gjykimin tim në bazë të tij. Kështu që nuk kam qenë asnjëherë i shqetësuar për Salahun. Ne duhet të përmirësohemi secilën herë, dhe Salah duhet të tentoj të bëjë më mirë se 44 golat e sezonit të kaluar. Gjithkush do të kishte telashe në këtë aspekt, sepse si mund ta përmirësoni atë shifër? Nëse shënoni 10 gola në 5 ndeshjet e para, secili do të thotë se do ta përsëris suksesin e fundit, por nëse e përfundon edicionin me 39 gola do të thonë se nuk janë sërish 44 gola. Salah nuk ka pasur një sezon të tillë asnjëherë më parë, ndërsa dëshiron ta ketë përsëri, por duhet të shkojë hap pas hapi”, tha Klopp.

Sezoni i parë i Mohamed Salah te Liverpooli ishte i mrekullueshëm, me 26 vjeçarin që shënoi 44 gola në 52 paraqitje në të gjitha garat.