Gjermani

Klopp nuk e mendon qëndrimin te Liverpooli deri në vitin 2022

Jurgen Klopp nënshkruajti kontratë 6 vjeçare me Liverpoolin në verën e vitit 2016, 9 muaj pasi që ishte emëruar trajner te “The Reds”, por gjermani mendon se është shumë herët të mendohet të vazhdojë të jetë pjesë e klubit anglez edhe pas vitit 2022.

Klopp ende nuk e ka fituar asnjë trofe me Liverpoolin teksa është futur në sezonin e tij të 4-të me klubin nga Merseyside, gjersa gjatë kësaj periudhe i ka humbur finalet e Champions League, Europa League dhe EFL Cup.

“The Reds” ndodhen 4 pikë përpara Manchester Cityt në krye të tabelës pas 18 xhirove të zhvilluara në Premier League, me shpresat që janë rritur që në maj të vitit të ardhshëm malli për trofe të marri fund.

“Nuk dua të mendoj aq larg. Nëse e shkruani këtë gjë shumë njerëz do të thonin, ‘për momentin gjithçka është në rregull, por Klopp ende nuk ka fituar asgjë’. Kjo është e vërtetë dhe ne nuk kemi nevojë të mendojmë për vitin 2022, është kohë e gjatë. Gjatë verës nëse do të fitojmë ndonjë trofe, do të ketë njerëz që do të thonë se është koha ideale për mua që të largohem për arsyen se nuk do të jemi në gjendje më të fitojmë, në anën tjetër të tjerë do të thonë se nëse nuk fitojmë asgjë duhet të largohem. Derisa të gjithë te Liverpooli, pronarët, lojtarët dhe tifozët janë të kënaqur ne mund të vazhdojmë, por nëse ka pakënaqësi nga dikush prej këtyre grupeve duhet të themi stop”, tregoi Klopp.

Liverpooli sot në “Anfield” e pret Newcastlen e ish trajnerit Rafael Benitez, ndërsa të besuarit e Klopp vitin 2018 e përmbyllin me super sfidën kundër Arsenalit, të cilën e zhvillojnë sërish në shtëpi.