Liverpooli po kalon në një formë të jashtëzakonshme, por trajneri Jurgen Klopp thotë se Manchester City mbetet skuadra për t’u mposhtur në Premier League, teksa klubet përgatiten të futen në periudhën e ngarkuar festive.

Klopp mendon se Manchester City nuk po tregon shenja dobësie teksa i lavdëroi kampionët në fuqi për dëshirën për të përsëritur suksesin e vitit të kaluar.

“The Reds” janë në krye të tabelës me një pikë më shumë se “Citizens”, ndërsa e kanë mundësinë e zgjerimit të avantazhit në rast të fitores sonte në udhëtim te Wolves.

Liverpooli mbetet skuadra e vetme e pamposhtur në Premier League, teksa City u mposht 2-0 nga Chelsea dy javë më parë. Sidoqoftë, për Klopp, Manchester City mbetet favorite për triumfin në Premier League.

“Më duhet të respektoj faktin se City është skuadër shumë e mirë. Nuk mund të them se ata kanë fat. Ata vazhdojnë të jenë në disponimin e njëjtë të sezonit të kaluar kur i fituan 100 pikë. Nuk kanë asnjë shenjë dobësie. Dëshira e Manchester Cityt për të përsëritur suksesin e vitit të kaluar është e veçantë. Ne jemi sfidues, dhe për këtë arsye duhet të koncentrohemi në secilën ndeshje dhe të mos i nënvlerësojmë kundërshtarët”, theksoi Klopp.

Ndeshja e parë mes Liverpoolit dhe Manchester Cityt e zhvilluar në “Anfield” përfundoi në barazim 0-0, ndërsa me 3 janar përballen në “Etihad” për ballafaqimin e dytë.