Klopp mendon se ky sezon i Premier League është më emocionuesi ndër vite

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp beson se ky sezon i Premier Leagues është më emocionuesi në vitet e fundit, me 5 skuadrat e kreut që ndahen nga njëra-tjetra me vetëm 5 pikë.

Fitorja sonte ndaj Arsenalit do t’i mundësonte Liverpoolit të bëjë startin më të mirë në histori të “The Reds” në Premier League, ndërsa Klopp refuzon të fokusohet vetëm në rivalitetin përballë Manchester Cityt.

“Ne luajmë dy herë kundër Cityt, maksimumi që mund të humbim nga ta është 6 pikë. Nuk duhet të merremi me rezultatet e tyre. Nëse ata luajnë të premtën dhe në luajmë të dielën presioni rritet ndaj nesh por në të njejtën kohë e harrojmë garën me Chelsean, Tottenhamin, Arsenalin apo Manchester Unitedin”, deklaroi Klopp.

Tutje trajneri gjerman vuri theksin të rivaliteti për pozitën e parë këtë sezon në krahasim me edicionin e kaluar ku “Citizens” kishin krijuar një diferencë të paarritshme që nga muaji nëntor.

“Me shumë mundësi ky sezon është më emocionuesi i viteve të fundit. Vitin e kaluar shumë skuadra bënë paraqitje të mira por nuk kishin asnjë mundësi përballë Cityt. Unë jam tifoz i futbollit dhe gara e këtij sezoni është emocionues për mua. Gjithashtu në fund të tabelës ka shumë skuadra me pak pikë por me gjasa për të qëndruar në elitë, edhe kjo është shumë interesante”, nënvizoi Klopp.