Mohamed Salah shënoi gol pasi që 14 sekonda më herët iu kishte anuluar goli Fulhamit me arsyetimin se Aleksandar Mitrovic ishte në pozicion jashtë loje, teksa ky reagim i shpejtë i “The Reds” e ka impresionuar trajnerin Jurgen Klopp.

Liverpooli fitoi në fund 2-0, ndërsa edhe Xherdan Shaqiri ishte protagonist me golin e shënuar në pjesën e dytë, ndërsa trajneri gjerman u nda i kënaqur me qasjen e futbollistëve të tij, pavarësisht polemikave lidhur me golin e anuluar të Fulahmit.

“E kam parë njëherë, nuk jam i sigurt nëse ishte pozicion jashtë loje, është e vështirë të thuhet. Nuk dua ta krahasoj por ndaj Arsenalit na u anulua një gol që ishte edhe më i qartë se ky, nuk mund t’i ndryshojmë këto gjëra. Gjëja më e rëndësishme ishte të reagojmë aq shpejt në atë moment. Alisson, Arnold dhe Salah, ishte fantastike”, deklaroi Klopp.

Ish trajneri i Borussia Dortmundit kishte fjalë pozitive për kundërshtarin që u ballafaqua, Fulhamin teksa shtoi se skuadra londineze do të jetë në gjendje të kapërcejë momentin e keq.

Liverpooli pas 12 javëve në Premier League nuk e ka shijuar ende humbjen, kurse ndodhet në vendin e dytë me 30 pikë të tubuara, 2 më pak se Manchester City kryesues.