Sonte në mbrëmje do të ulë siparin edhe kompeticioni më i rëndësishëm europian për klube, Liga e Kampionëve, me finalen tërësisht angleze, Liverpool-Tottenham, që do të luhet në stadiumin “Wanda Metropolitana”, të Madridit.
Në konferencë për shtyp ka dalur trajneri i “The Reds”, Jurgen Klopp, i cili e sjell Liverpoolin për herë të dytë radhazi në finale të Ligës së Kampionëve, pas asaj të humbur vitin e kaluar ndaj Realit.
Përtej futbollit të bukur, Klopp njihet edhe si një “humbës i madh” i finaleve, pasi ka dështuar në plot 6 raste, ndërsa në “palmaresin” e tij mungojnë trofetë e rëndësishëm, ndonëse skuadrat që ka drejtuar, kanë dhuruar futboll spektakolar.
“Kam humbur 6 finale në karrierën time dhe po të dija motivin, do të ishte një problem për të gjithë kundërshtarët e mi. Megjithatë e kaluara nuk vlen aspak, pasi këtë sezon e kemi mposhtur dy herë Tottenhamin, por nesër në mbrëmje, e di që do të jetë tërësisht ndryshe”, tha tekniku gjerman.







