Liverpooli e humbi mundësinë t’i largohet rivalit kryesor për titullin e Premierligës, Manchester Cityt, për shtatë pikë, pasi që nuk arriti ta fitojë ndeshjen e mbrëmshme kundër Leicesterit.

Jurgen Klopp beson se fajin për këtë e ka një vendim i gjyqtarit.

Trajneri i Liverpoolit ka thënë se gjyqtari nuk e akordoi një penallti të qartë për ekipin e tij, që mund t’ia kishte fituar ndeshjen Liverpoolit.

Fillimisht, djemtë e Kloppit kishin qenë në epërsi përmes golit të shënuar nga Sadio Mane, megjithatë ndeshja përfundoi me rezultat 1-1, pasi që qendërmbrojtësi Harry Maguire arriti ta shënojë një gol për Leicesterin.

Pika e fituar nga kjo ndeshje e shton distancën mes Manchester Cityt dhe Liverpoolit, mirëpo Klopp dhe tifozët në Anfield mbetën të zhgënjyer që nuk e shfrytëzuan plotësisht dhuratën e Pep Guardiola, i cili kishte pësuar disfatë një ditë më parë.

“Mendoj se ishte një rast i 100 për qindtë, të paktën. Mendoj se kjo është diçka që do të na i kishte dhënë një mundësi. Jo vetëm se Sadio do të kishte shënuar në atë rast, jam shumë i sigurt se edhe Mo [Mohamed Salah] po rrinte gati në anën tjetër”, ka thënë Klopp.

“Por, Martin Atkinson mendoi se ajo ndërhyrje nuk ishte e mjaftueshme për karton të kuq, dhe ai u ndëshkua me të verdhë. Pastaj, për rastin tjetër nuk ke nevojë as për VAR, të gjithë e dimë se ajo ishte penallti”.

“Unë nuk e di se çfarë mendoi gjyqtari në atë moment. Mendoj se ai ishte në pozitën më të mirë [për ta parë incidentin]. Zakonisht unë duhet ta shpjegoj cilat penallti ishin penallti dhe ju më pyetni nëse ishte penallti e butë”.

“Një penallti është një penallti, nuk kishte gjak në këtë incident sot, por është një penallti sepse njëri ndër lojtarët tanë ishte brenda zonës së kundërshtarë. Por, ndodhi ajo që ndodhi, nuk mund ta ndryshojmë tani”.