Klopp, i gatshëm të luajë në stadiume neutrale: Liverpooli do të luajë kudo, s’më intereson

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, synon t’i fitojë të gjitha pikët nga nëntë ndeshjet e mbetura të këtij sezoni dhe nuk i intereson se në çfarë stadiumi do t’i duhet t’i zhvillojë këto ndeshje drejt titullit të parë të Premierligës në 30 vjet.

Liverpoolit i duhen vetëm edhe dy fitore për t’u shpallur kampion i Anglisë për herë të parë në 30 vjet. Pasi që Manchester City do të përballet me Arsenalin në ndeshjen e parë të ligës, kur të rinisë më 17 qershor, skuadra e Kloppit mund të shpallet kampione qysh pas ndeshjes së parë.

Nëse Manchester City e humb ndeshjen kundër Topçinjve dhe Liverpooli e mposht Evertonin në derbin e qytetit, që pritet të zhvillohet më 20 qershor, atëherë Liverpoolit do ta siguronte titullin e kampionit edhe matematikisht.

Megjithatë, gazeta britanike The Mirror raporton se ajo ndeshje mund të zhvillohet në stadiumin Etihad, pasi që policët frikësohen se tifozët e Liverpoolit do të dilnin në rrugët përreth stadiumit për ta festuar titullin.

Po i njëjti medium shkruan se për këtë arsye jo vetëm Liverpoolit që mund t’i kërkohet të zhvillojë ndeshje në stadiume neutrale, por edhe skuadrave që luajnë në derbi të mëdha angleze. Megjithatë, Klopp ka insistuar se ai nuk e sheh këtë si problem.

“Është e këndshme të mendosh për titull, por ne nuk jemi kampionë ende dhe ne e dimë këtë”, ka thënë Klopp.

“Ne e dimë se jemi afër, por nuk kemi arritur atje ende. I kemi edhe 27 pikë për të cilat do të garojmë dhe do të tentojmë t’i fitojmë të gjitha”.

“Ne nuk jemi ende kampionë. Duhet t’i luajmë ndeshjet e mbetura dhe duhet t’i fitojmë ato. Ne s’do ta kemi ndihmës nga tifozët, por s’do ta kenë as ekipet e tjera. Nëse alternativa është të mos luajmë fare, unë do të luaj kudo. S’më intereson”.