Klopp: Do ta përcjellë nga afër Aston Villan

Trajneri gjerman Jurgen Klopp ka reaguar pas rikthimit të legjendës së Liverpoolit Steven Gerrard si trajner në Premier Ligë, duke thënë se tani do të përcjellë ndeshjet e Aston Villas nga afër.

Steven Gerrard shkëputi kontratën e tij me Rangers pas tre vite e gjysmë në udhëheqje të klubit skocez, vetëm për të marrë detyrën e trajnerit te Aston Villa javën e kaluar.

41 vjeçari, i cili udhëhoqi Rangers drejt titullit të parë të ligës pas një dekade, tani ka një punë të vështirë te Aston Villa, ku kjo e fundit renditet në vendin e 16 në Premier Ligën angleze pas 11 ndeshjeve, por trajneri i Liverpoolit Klopp beson që ai është njeriu i duhur që ta këndellë skuadrën angleze.

“E di që ai e dashuronte punën e tij te Rangers, por kjo është jeta. Kur të vjen mundësia që të punosh në Premier Ligë, atëherë sigurisht që çdo trajneri në botë do ta konsideronte atë. Me një klub të madh siç është Aston Villa, mund ta imagjinoj që ai është tejet i emocionuar. Është një mundësi shumë e mirë për të, dhe gjë e mirë për klubin”, tha Klopp në një intervistë për faqen zyrtare të Liverpoolit.

“Pas disa javësh ne do të përballemi kundër njëri-tjetrit. I kam shkruar dhe kemi pasur disa biseda. Është gjë e mirë dhe jam duke shikuar drejt saj. Që nga ky moment unë do të përcjellë ndeshjet e Aston Villas nga afër, por kur të përballemi do të jetë ndryshe. Për 95’ minuta të gjitha ndjenjat duhet lënë anash”, shtoi trajneri i Liverpoolit.

Jurgen Klopp u emërua trajner i Liverpoolit disa muaj pasi që Gerrard u largua nga klubi në vitin 2015, por ish-mesfushori i Liverpoolit kishte punuar me trajnerin gjerman kur kishte filluar hapat e parë të karrierës si trajner i akademisë së klubit.

Tani, të dy trajnerët ende vazhdojnë të kenë miqësi mes vete, ku edhe do të takohen në “Anfield Road” më 11 dhjetor pasi që Liverpooli e pret në shtëpi skuadrën e Gerrard Aston Villan.