Klinaku: Veteranët e familjet e tyre s’po mund të marrin vërtetim, pasi prokuroria i mori të gjitha dosjet

Prokuroria Speciale e Kosovës ka marrë dosje nga zyra për verifikimin e veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), për hetimin e rastit të njohur si “Veteranët”, kjo për faktin se u dyshua për shtim të numrit të atyre që ishin pjesë e luftës.

Mirëpo, ky fakt po i sjell problem veteranëve dhe familjes të tyre ka thënë, ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL të UÇK-së, Faton Klinaku. Sipas tij, edhe pse zyra për verifikim e posedon sistemin elektronik të të dhënave, këta të fundit po arsyetohen për disa probleme teknike.

“Me ligj a kanë pasur institucionet apo zyra për verifikim që të na i sjellin neve ato lista përfundimtare, ato lista kurrë nuk na i kanë sjell. Ne si Organizatë e Veteranëve të Luftës e dini ju që edhe prokurorinë e kemi ftuar dhe ia kemi dhënë disa lista që i kemi pasë ne pas luftës që kanë qenë si lista të përfunduara dhe si procedurë e kemi nisë pastaj me prokurorinë”.

“Prokuroria e ka vendos lëndën në gjyq, ajo është duke vazhduar. Njëherë komisioni e shpalli të pafajshëm, por është ankesa e tyre dhe do të vazhdoj procesi gjyqësor ende. Një fatkeqësi e madhe është që prokuroria mendoi që ka bërë shkelje të ligjit që i ka marrë të gjitha dosjet në zyrën për verifikim dhe aty nuk e ka lënë së paku asnjë kopje dhe në këtë drejtim po hasin në vështirësi veteranët e luftës apo familjarët e tyre që të marrin edhe vërtetime nga ajo zyrë. Edhe pse në atë zyrë e kanë sistemin, por ata arsyetohen për disa çështje probleme teknike që i kanë”, deklaron ai për EO.

Klinaku më tej thotë se numrin e saktë të veteranëve të luftës nuk e di askush. Madje sipas tij edhe pse ka pasur vazhdimisht akuza për rritje të numrit të veteranëve të luftës, kjo është bërë për konsum politik.

“Nuk mund ta prekin ata asnjë proces verifikimi përderisa lënda është në gjyq dhe kur të përfundon procesi gjyqësor nëse kjo qeveri apo këto institucione duan që ta themelojnë një komision tjetër është çështje e tyre edhe këtu, në këtë drejtim departamenti ku jepen pensionet nuk do të duhej që t’i kërkonte bashkëshortes së veteranit të vdekur asnjë lloj vërtetimi për shkak se vërtetimin ai vetë që e ka në departament e ka gëzuar edhe pensionin”, ka shtuar ai.