“Kjo nuk është Serbi”: Mijëra protestues akuzojnë Qeverinë malazeze si pro-serbe

Me mijëra qytetarë kanë protestuar të hënën nëpër rrugët e kryeqytetit të Malit të Zi, duke e akuzuar Qeverinë si pro-serbe për shkak të planeve të saja për ta amendamentuar ligjin e pronave fetare që ishte kritikuar ashpër nga Kisha Ortodokse Serbe.

Duke bërtitur “Kjo nuk është Serbi” dhe “Tradhti”, turma e protestuesve sfidoi ndalesat për tubime në kohë pandemie për t’u mbledhur para ndërtesës së Parlamentit në Podgoricë, pasi që Qeveria propozoi ndryshime në ligjin që kishte ndarë publikun gjatë vitit të shkuar.

Demonstrata përbën protestën e parë madhore në shtetin e vogël ballkanik kundër Qeverisë së porsakrijuar, e cila ka ardhur në detyrë pas fitores me shumicë të ngushtë ndaj partisë properëndimore që ishte kaherë në pushtet, gjatë zgjedhjeve parlamentare të gushtit. Votimet ishin mbajtur në kohën e përplasjeve rreth ligjit fetar, për të cilin Kisha Ortodokse Serbe kishte pretenduar se ishte i destinuar për ta lënë Kishën pa pronat e saja.

I miratuar në fund të vitit 2019, ligji i hapi rrugën një procesi që mund t’i shndërrojë me qindra manastire, të administruara nga Kisha Ortodokse Serbe, në prona shtetërore të Malit të Zi.

Mirëpo Qeveria e re, e cila është tani proserbe dhe e lidhur ngushtë me Kishën, po propozon rishikim të ligjit për të siguruar që pronat të mbesin në duart e Kishës, me seli në Beograd.

Për këtë arsye, demonstruesit e mbledhur të hënën e akuzuan Qeverinë se i ka hapur rrugën “okupimit” të Malit të Zi, duke e “shlyer shtetin dhe identitetin kombëtar të vendit”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka insistuar se vendi i tij do të kërkojë marrëdhënie miqësore me “secilën qeveri të Malit të Zi”, duke i “respektuar përherë” interesat serbe.

Derisa Mali i Zi ka shpallur pavarësinë nga Serbia 14 vjet më parë, historia dhe kultura e dy vendeve mbeten thellësisht të ndërlidhura njëra me tjetrën. Rreth një e treta e popullatës prej 620.000 banorëve e Malit të Zi identifikohet si serbe teksa Kisha Ortodokse përbën ende institucionin kryesor fetar në vend.

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, partia e të cilit e miratoi ligjin, kishte bërë përpjekje për ta frenuar ndikimin e Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi dhe kishte ndërtuar një kishë të pavarur ortodokse. Por në zgjedhjet e gushtit, Partia e tij Demokratik e Socialistëve (DPS) doli humbëse – për të parën herë pas dekadash – karshi bllokut opozitar të udhëhequr nga aleatët e SPC-së. \ AP