Dëshira e Milanit ishte të nënshkruante me Luciano Spallettin, por në pamundësi të çlirohej ish trajneri i Interit nga kontrata me zikaltërit, drejtuesit e “Djallit” ishin të detyruar të zgjedhnin Stefano Piolin.
Mediet italiane kanë zbuluar dhe prapaskenat e dështimit të bisedimeve me 60-vjeçarin, i cili mësohet se ka pasur një debat të ashpër me Beppe Marottan.
“Nëse Conte merr 12 milionë euro, mua duhet të më jepni të paktën 5 milionë.” Janë këto fjalët e Spallettit, drejtuar administratorit zikaltër gjatë një bisede telefonike që kanë patur të hënën.
Spalleti ka ende kontratë me Interin deri në qershor të vitit 2021, nga e cila përfiton 5.4 milionë euro në sezon, plus bonuset.
Suning i ka ofruar pagën e 3 muajve të fundit të vitit 2019 për një total prej 2 milionë e 700 mijë eurosh, por në këtë pikë bisedimet për prishjen me marrëveshje të kontratës u ndalën. Nuk vlejti as tentativa e fundit e trajnerit me një mesazh drejtuar presidentit Steven Zhang, me të cilin ruajtur marrëdhënie të mira.
Tashmë Spalletti do të vazhdojë të shijojë pushimet, pasi pagën e ka të garantuar si trajner i Interit deri në fund të sezonit.







