Kjo është skuadra e re e Sokol Cikalleshit

Sokol Cikalleshi gjen skuadër të re në Superligën e Turqisë.

Sulmuesi kavajas, pasi mbylli para kohë huazimin te Goztepe, vendosi t’i bashkohej Akhisarsporit, ekip me të cilin ka luajtur i huazuar nga Istanbul Basaksehit në pjesën e dytë të sezonit 2016-2017.

Në fakt, ishte shkaktuar një llojë paqartësie për të ardhmen e 28-vjeçarit, për faktin se në fillim të sezonit aktual kishte luajtur ndeshje zyrtare me Osmanlisporin, për t’u huazuar më pas te Goztepe, pra nuk do të mund të luante me një ekip të tretë brenda një sezoni, por Cikalleshi ka marrë garanci nga Federata Turke e Futbollit që ky rregull vlen kur bëhet fjalë për skuadra të së njëjtës kategori (Goztepe luan në Superligë, Osmanlispori një kategori më poshtë).

Skuadra e re e Cikalleshit, Akhisar, gjendet në vendin e 17-të në Superligën e Turqisë, me vetëm 17 pikë, një më shumë se skuadra pasardhëse, që bie nga kategoria. Drejtuesit e Akhisarit besojnë se prania e Cikalleshit do t’i japë një shtysë skuadrës drejt shpëtimit të sezonit.