Bordi i Zyrës Rregullative të Energjisë (ZRRE), të martën, unanimisht ka miratuar vendimin për rritjen e tarifave të energjisë elektrike për konsumatorët shtëpiakë që shpenzojnë rrymë mbi 800 kilovat.
Me miratimin e këtyre tarifave, konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kËh energji do të përballen me shtrenjtim të energjisë.
Megjithatë, rritja e çmimit të energjisë duket se nuk do të ndikojë fare në xhepin e anëtarëve të Bordit të ZRrE-së, pasi ata kanë deklaruar pasuri të madhe në Agjencinë Kundër Korrupsionit, raporton Demokracia.com.
Kryesuesi i Bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu, në Agjencinë Kundër Korrupsionit ka të deklaruar pasuri të paluajtshme një banesë në vlerë 55 mijë euro e blerë në vitin 2014 me kredi.
Po ashtu, ai ka të deklaruar edhe 8 hektarë tokë, pasuri e përbashkët familjare, në vlerë prej 160 mijë euro, raporton Demokracia.com.
Pasuri të paluajtshme, Ymeri ka të deklaruar edhe 3 hektarë mal, pasuri e përbashkët familjare, në vlerë prej 160 mijë euro.

Fejzullahu ka edhe një kredi në bankë në vlerë prej 4 mijë e 300 euro.
Si kryesues i Bordit të ZRrE-së, Fejzullahu merr pagë vjetore prej 15 mijë e 252 euro.

Ai ka të deklaruar edhe një veturë, në pronësi të bashkëshortes, në vlerë prej 1 mijë e 800 euro.
Ndërsa, një tjetër veturë, ai deklaron se e ka blerë me kredi në vlerë prej 18 mijë euro.

Anëtari tjetër i Bordit të ZRrE-së, Izet Rushiti, ka të deklaruar një pasuri të madhe në Agjencinë Kundër Korrupsionit.
Në pronësi të tij, ai ka të deklaruar një tokë në vlerë prej 55 mijë euro, një truall në vlerë 12 mijë euro dhe një shtëpi në emër të fëmijëve në vlerë prej 60 mijë euro, raporton Demokracia.com.
Po ashtu, ai ka të deklaruar edhe një shtëpi të trashëguar nga prindi në vlerë prej 12 mijë e 960 euro.
Një shtëpi tjetër e ka të deklaruar në pronësi të përbashkët në vlerë 50 mijë euro.
Rushiti në pronësi të përbashkët ka edhe një truall në vlerë 50 mijë dhe 5 toka në vlerë prej 52 mijë euro.

Pasuri të luajtshme, Rushiti ka katër vetura në pronësi të fëmijëve dhe një veturë personale në vlerë prej 22 mijë euro.

Ai ka edhe 100 për qind të aksioneve në dy kompani.
100 për qind të aksioneve i ka në kompaninë “Promoin” Qeramika, e cila është në pronësi të tij dhe po ashtu 100 për qind të aksioneve në kompaninë “Promo-Shped SHPK”, në pronësi të fëmijëve, raporton Demokracia.com.
Po ashtu ka të deklaruara edhe 40 mijë euro në bankë.

Rushiti ka detyrime financiare në tri banka të Kosovës.

Edhe anëtari tjetër i Bordit të ZRrE-së, Selman Hoti, ka të deklaruar një pasuri të madhe.
Në AKK, ai ka të deklaruara dy shtëpi, njërën të blerë, pronë e përbashkët, në vlerë prej 165 mijë euro dhe tjetrën të trashëguar në vlerë prej 17 mijë e 964 euro.
Hoti ka edhe një banesë të blerë, në vlerë prej 81 mijë e 510 euro, një parcelë 15 mijë euro dhe një lokal afarist në vlerë 30 mijë e 800 euro.
Ndërsa, pronë të përbashkët ka një tokë pune, në vlerë prej 17 mijë e 500 euro.
Ai, po ashtu, ka edhe dy vetura, njëra 15 mijë dhe tjetra 8 mijë euro, raporton Demokracia.com.

Hoti ka para të gatshme në bankë 22 mijë e 37 euro, ndërsa bashkëshortja e tij ka 15 mijë e 149 euro. 8 mijë e 904 euro në bankë i ka të deklaruara të përbashkëta dhe 5 mijë e 138 në emër të fëmijëve.
Ka edhe 15 mijë euro kredi për blerje të shtëpisë.

Nga ZRrE ai merr pagë vjetore prej 22 mijë e 972 euro, nga lokali 3 mijë euro.

Ndërsa, anëtari tjetër i Bordit të ZRrE-së, Gani Buçaj, pasuri të paluajtshme ka të deklaruar një shtëpi, e blerë nga prindi, në vlerë prej 100 mijë euro dhe një banesë, në emër të tij, në vlerë prej 50 mijë e 250 euro, raporton Demokracia.com.
Ka edhe një veturë të blerë gjatë viti 2015, e cila ka vlerën 1 mijë e 500 euro.

Para të gatshme në bankë, Buçaj ka 22 mijë euro, ndërsa 6 mijë e 700 euro i ka në emër të bashkëshortes.

Buçaj merr pagë vjetore nga ZRrE në vlerë prej 15 mijë euro, ndërsa bashkëshortja e tij merr 5 mijë e 200 euro.

Sipas vendimit për rritjen e energjisë elektrike, konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovat do të paguajnë më shumë nga nesër 12.5 cent për kilovat për tarifën e ditës dhe 6 cent për tarifën e ulët.
Ndryshe, që nga viti 2017 nuk ka pasur bllok tarifa për ekonomitë familjare. /Demokracia.com/







