Kjo është gjendja e Turqisë në prag të ndeshjes me Shqipërinë

Nuk është Turqia e 17 viteve më parë, që në 2002 realizonte arritjen më të madhe në historinë e kësaj kombëtareje, duke shkuar deri në gjysmëfinale të Kampionatit Botëror, ku eliminohej nga Brazili që në fund fitoi Kupën e Botës. Nuk është as Turqia që hakmerrej një vit më vonë duke eliminuar Ronaldon e Ronaldinhon me shokë në Kupën e Konfederatave.

Por mbetet Turqia e Senol Gunes, të njëjtit trajner që është rikthyer në stolin për këtë fushate eliminatoresh dhe qëndron si kundërshtar përballë Shqipërisë këtë të premte. Nuk ka Hasan Sas, Rustu e Hakan Sukur, por ka Calhanoglu, Demiral, Burak Yilmaz, Emre Belezoglu e Cengiz Under, që këtë ndeshje do të mungojë.

Kryesues të Grupit H me 15 pikë, në 6 ndeshje 14 gola të shënuar dhe vetëm dy të pësuar, mbrojtja më e mirë e grupit. T’u shënosh nuk do të jetë e lehtë, mjaft të kujtosh se kanë ruajtur portën të paprekur në 5 nga 6 ndeshjet e luajtura, ku përfshihet edhe fitorja 2-0 ndaj Francës, kampione e Botës. Megjithatë, nuk janë të pamposhtur, Islanda, kundërshtari që Shqipëria e mundi 4-2 i ka mposhtur 1-0, ndërsa ndaj Andorrës fituan minimalisht 1-0, me golin që u shënua vetëm në minutën e 89’, që do të thotë se një mbrojtje e mirorganizuar mund t’u rezistojë.

Pa dyshim që do të përpiqen të shfrytëzojnë në maksimum avantazhin e faktorit fushë dhe turmën e tyre në stadium, edhe pse iu vlen dhe barazimi, do të përpiqen ta fitojnë, por edhe Shqipëria në këtë ndeshje luan shanset e saj për t’u kualifikuar dhe futur në luftën për kreun. Në futboll, dihet, edhe shanset e pakta bëjnë ndeshje të mëdha.

loading…