Kjo është arsyeja përse Kosova u kushtëzua nga Franca me sistemin ETIAS për liberalizimin e vizave

Kosovarët u zhgënjyen edhe një herë sa i përket liberalizimit të vizave. Në takimin e Grupit Pununes të Këshillit të Bashkimit Evropian të mbajtur të enjten më 13 tetor në Bruksel, procesi i vizave për Kosovën u lidh me funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS.

Propozimi u tha se është bërë nga zyrtarët francezë, ndërkaq është mbështetur prej të paktën katër shteteve tjera: Suedisë, Belgjikës, Holandës dhe Spanjës.

Lidhur me këtë, drejtori i institutit EPIK, Demush Shasha ka thënë se arsyeja e lidhjes së këtij procesi me ETIAS është për shkak të hyrjeve ilegale në BE.

Shasha pFacebook, ka shkruar se nga të dhënat e fundit nga Frontex konfirmojnë se numri i hyrjeve ilegale në BE në nëntë muajt e parë të këtij viti kanë shënuar rritje prej 70% krahasuar me vitin e kaluar.

“Ky është rekordi i hyrjeve ilegale në BE-që për nëntë muaj të parë që nga viti 2016; dhe gjysma e këtyre kalimeve ilegale kanë hyrë në BE përmes Ballkanit Perëndimor. Krahasuar me vitin e kaluar kjo është rritje prej 170% të hyrjeve ilegale përmes rajonit tonë. Sirianët dhe Afganët kanë qenë shtetësi kryesore migruese”, ka thënë Shasha.

Drejtori i EPIK, ka theksuar se kjo nuk ka të bëjë ekskluzivisht me Kosovën, por se ky është problem i gjithë rajonit.

“E gjithë kjo nuk ka të bëjë asgjë ekskluzivisht me Kosovën. Ky është problem i gjithë rajonit. Kam thënë edhe në maj të këtij viti: sa shpenzojmë energji të panevojshme në diskutimet të llojit Procesi i Berlinit vs Ballkani i Hapur, para vetës kemi një krizë në rritje e cila kërkon vëmendjen dhe bashkëpunimin e të gjitha vendeve të rajonit”, ka shkruar Shasha.