Zgjedhjet e nëntorit

Kina dhe Irani po përpiqen të pengojnë rizgjedhjen e Trumpit ndërsa Rusia atë të Bidenit

Një zyrtar i lartë i kundërzbulimit në SHBA ka lëshuar një deklaratë publike ku paralajmëron se shtetet e huaja janë duke përdorur metoda të hapura dhe të fshehta për të ndikuar në zgjedhjet e vitit 2020.

William Evanina, drejtori i Qendrës Kombëtare për Kundërzbulim dhe Siguri, ka ngritur brenga specifike rreth aktiviteteve nga Kina, Rusia dhe Irani, shkruan The Independent.

Evanina thotë se Kina dhe Irani preferojnë që Donald Trump të mos i fitojë sërish zgjedhjet gjersa Rusia po përpiqet që të dëmtojë shanset elektorale të Joe Bidenit.

Ai shkruan që përpara zgjedhjeve të nëntorit të vitit 2020, shtetet e huaja po përpiqen të ndërrojnë preferencat dhe perspektivat e votuesve, të ndërrojnë politikat, të rrisin mospajtimin në shtet dhe të ulin besimin në proceset demokratike, transmeton KOHA.

Gjersa kundërshtarët e SHBA-së mund të përpiqen të ndikojnë në infrastrukturën e zgjedhjeve në procesin votues, të vjedhin të dhëna sensitive, apo të vënë në pyetje vlefshmërinë e rezultateve zgjedhore, ai thotë se do të jetë e vështirë që të manipulohen rezultatet e votimeve në shkallë të lartë.

Evanina thotë se Kina e sheh presidentit Trump si të paparashikueshëm, andaj preferon që të mos rizgjidhet si president.

“Edhe pse Kina do të matë mirë rreziqet e veprimit agresiv, retorika publike gjatë muajve të kaluar është bërë vazhdimisht e më kritike ndaj përgjigjes së administratës së tashme ndaj pandemisë, mbylljes së konsullatës në Huston, dhe çështjeve tjera. Sa i përket Rusisë, vlerësimi është se ky shtet po përdorë një sërë masash kryesisht për të penguar Joe Bidenin dhe atë që e quan “politikë anti-Ruse””, tha ai.

Si shtesë, disa aktorë të lidhur me Kremlinin janë duke e ngritur kampanjën e Trumpit nëpër mediat sociale dhe në televizionet ruse.

Përfundimisht, kërcënimi nga Irani është të dëmtojë institucionet demokratike të SHBA-së, presidentin Trump, dhe të ndajë shtetin para zgjedhjeve të 2020.

Si përfundim ai shkruan: “Jemi të gjithë së bashku në këtë gjë si amerikanë. Zgjedhjet tona duhet të jenë tonat. Përpjekjet që të ndikohen apo pengohen zgjedhjet tona janë kërcenim i drejtpërdrejtë ndaj demokracisë së shtetit tonë”.