KFOR-i mohon se i ka ndalur punimet në rrugën Deçan-Plavë, tregon pse komandanti u takua me kryetarin e Deçanit

Punimet në rrugën afër Manastirit të Deçanit nuk janë ndalur nga KFOR’i, siç është raportuar në media.

KFOR-i ka thënë se kjo është e pavërtetë.

Në një komunikatë dërguar të gjitha mediave, KFOR-i ka njoftuar se komandanti i misionit të drejtuar nga NATO në Kosovë, gjeneralmajor Michele Risi, vizitoi sot Zonën e Veçantë të Mbrojtur të Deçanit, e cila përfshin Manastirin Ortodoks serb të Deçanit, zonën religjioze të mbrojtur nga KFOR-i.

Sipas KFOR’it, gjatë vizitës së tij, Gjeneral Risi u takua me Kryetarin e Komunës së Decanit, Bashkim Ramosaj në zyrën e tij, me ftesë të Komunës. Komandanti i KFOR-it gjithashtu u takua me Peshkopin Sava Janjiq në Manastir.

“Në të dy takimet u diskutua për situatën e përgjithshme në zonë, duke marrë parasysh ndikimin e veçantë në siguri të punimeve në rrugën R108 që shtrihet në afërsi të Manastirit Decanit”, thuhet në njoftim.

“Gjeneral Majori Risi riafirmoi angazhimin e paanshëm të KFOR-it për të vazhduar të kontribuojë në një mjedis të qetë dhe të sigurtë dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, përfundon njoftimi.