Misioni i KFOR-it konfirmoi mbrëmjen e sotme se Prishtina ka kërkuar autorizim për t’i mundësuar FSK-së që të shkojë në veri, përkatësisht për dislokim “potencial” në “zonën e prekur”, pas shpërthimit në të cilin u dëmtua kanali Ibër-Lepenc.

Kjo kërkesë, megjithatë, është refuzuar, kanë thënë ata në përgjigjen e tyre për KoSSev.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në fjalimin e sotëm, tha se menjëherë pas shpërthimit, Kurti ka kërkuar nga KFOR-i që të lejojë FSK-në të shkojë në veri, por se KFOR-i ka refuzuar.

Madje, që nga e premtja, kryeministri i Kosovës ka përmendur vazhdimisht FSK-në dhe pas asaj dite, në orët e vona të natës, në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, si një nga masat, është vendosur që ushtarët e FSK-së dhe Policia e Kosovës duhet të angazhohet në mbrojtjen e “infrastrukturës kritike”, transmeton Ballkani.info.

Pas vizitës së djeshme në fshatin Varagë, Kurti ka vizituar edhe pikat statike dhe patrullat ushtarake në rajonin e Obiliqit dhe Vushtrrisë.

Ai më pas ka konfirmuar se, për shkak të situatës së krijuar rishtazi, “FSK-ja është angazhuar për të mbështetur autoritetet civile përmes detyrave të patrullimit dhe vëzhgimit të pikave kritike të infrastrukturës në lokacione të ndryshme në Kosovë”.

Kurti, megjithatë, nuk e ka përmendur konkretisht dislokimin e FSK-së në veri, për të cilin në përputhje me marrëveshjen, përkatësisht obligimin që shteti i Kosovës, kërkohet pëlqimi i KFOR-it.

Madje në fjalimin e sotëm ai tha se do të ishte më e sigurt nëse FSK-ja të ishte në veri.

“Në përputhje me zotimin e vitit 2013 të nënshkruar ndërmjet institucioneve në Kosovë dhe NATO-s, institucionet në Kosovë kërkuan autorizim nga komandanti i KFOR-it për dislokimin e mundshëm të njësive të FSK-së në zonën e prekur në veri të Kosovës. Komandanti i KFOR-it nuk ka dhënë autorizim të tillë, bazuar në vlerësimin e tij të sigurisë dhe veprimet që KFOR-i tashmë i ka ndërmarrë”, thuhet nw pwrgjigjwn e KFOR-it.

Ata kujtuan deklaratat e djeshme të këtij misioni, se KFOR-i ka dislokuar njësi për të siguruar zonën në Zubin Potok ku është dëmtuar kanali Ibër-Lepenc.

“KFOR-i ofroi gjithashtu ndihmë shtesë për institucionet në Kosovë, duke përfshirë mbështetjen logjistike dhe asgjësimin e mjeteve shpërthyese,” thanë ata.

Ata thonë gjithashtu se komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt me të gjithë, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe organizatave të sigurisë së Kosovës. /Ballkani.info/