KFOR i gatshëm të përcjellë situatën në veri derisa të bëjë betimin kryetari Atiq

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka bërë të ditur se do të jetë në gjendje të lartë gatishmërie dhe do ta monitorojë situatën në vazhdimësi përgjatë kohës sa do të bëhet betimi i kryetarit të ri, Erden Atiq, në Komunën e Mitrovicës së Veriut.

Një zëdhënës i KFOR-it tha se betimi i kryetarit Atiq do të bëhet vetëm nën sigurinë e Policisë së Kosovës.

“Me rastin e betimit të kryetarit të Mitrovicës dhe situatës në përgjithësi, sigurinë do ta bëjë Policia e Kosovës. KFOR-i vazhdon të monitorojë situatën dhe të mbajë nivel të lartë të gatishmërisë së njësive të tyre për t’u ballafaquar me çdo skenar të mundshëm, duke pritur që institucionet në Kosovë ta trajtojnë situatën në mënyrë efikase”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të KFOR-it.

“Komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë bashkëbiseduesit e tij kryesorë, përfshirë përfaqësuesit e EULEX-it, UNMIK-ut, OSBE-së, institucioneve në Kosovë dhe Organizatave të Sigurisë së Kosovës”, thekson më tej ai për Insajderin.

Zëvendësdrejtori i Policisë në rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani, ka paralajmëruar se policia ka përgatitur një plan operacional për shmangien e incidenteve eventuale.

“Në aspektin e sigurisë, policia është e përgatitur plotësisht që inaugurimi të shkon në mënyrë të rregullt, jemi të përgatitur për të gjitha situatat planifikim policorë e kërkon një gjë të tillë, situata mund të them që tani është e qetë por e brishtë dhe ta shohim si do të shkon në ditët në vijim, cfarëdo situata që do të kemi policia është e përgatitur për të gjitha”, tha ai.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se serbët nuk do t’i pranojnë për kryetarë kurrë të sapozgjedhurit e ri në komunat veriore të Kosovës.

“Po u kërkoj serbëve që ta ruajnë paqen, pasi ata nuk do të pranohen kurrë si kryetarë”, ka deklaruar ai.

Seanca konstitutive pritet të mbahet të premten (nesër) në objektin komunal të Mitrovicës së Veriut, nga ora 11:00.