Këto janë kushtet e PDK-së që u pranuan nga qeveria për votimin e Rimëkëmbjes ekonomike

Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë sot se PDK ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve të deputetëve për të ftuar seancë të jashtëzakonshme për ta votuar ligjin për rimëkëmbje ekonomike, ku janë futur propozimet e PDK-së të cilat ndihmojnë punëtorët e sektorit privat dhe bizneset me mbi 400 milionë euro buxhet.

Ai ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës tanimë ka propozuar katër masa konkrete, të cilat, nëse pranohen nga qeveria, Partia Demokratike e Kosovës do ta votoj ligjin e rimëkëmbjes ekonomike. Kryetari në detyrë Hoxhaj, ka thënë se PDK është e gatshme që qysh të premten të jetë pjesë e seancës ku do të mund të votohej pakoja e rimëkëmbjes ekonomike me masat e propozuara nga PDK.

Fjalimi i plotë i kryetarit në detyrë, Enver Hoxhaj:

Sot kemi pasur një mbledhje të gjatë të kryesisë së partisë ku kemi folur për shumë cështje që i preukupojnë qytetarët e Kosovës, vecanërisht për pandeminë.

Sot kemi diskutuar se si mund ta ndihmojmë vendin dhe qytetarët. Që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit, ekonomia e vendit tonë ka pësuar rënie dhe institucionet nuk kanë arritur ta miratojnë ende asnjë pako të rimëkëmbjes ekonomike për t’i ndihmuar qytetarët dhe bizneset. Ne e kuptojmë se Qeveritë nuk janë përgjegjëse pse jemi goditur nga pandemia, por janë përgjegjëse për keqmenaxhimin e pasojave që po sjell ajo. Më lejoni që në fillim së pari të ju shprehim ngushëllime të gjitha familjeve që kanë humbur më të dashurit e tyre.

Po ashtu, shprehim mirënjohje për punën e pakursyer të stafit shëndetësor, Poilicisë së Kosovës dhe gjithë punëtorëve që janë angazhuar në vijën e parë të frontit në përballje me pandeminë. Në fillim, ne e propozuam një pako prej 320 milionë euro, para të cilat i ka pasur Kosova në arkën e shtetit, por që për fat të keq, nuk u shpenzuan në atë kohë nga Qeveria Kurti për të zbutur krizën ekonomike. Këtë çasje konstruktive në raport me ekonominë dhe problemet e qytetarëve, Partia Demokratike e Kosovës e ka ndjekur edhe për qeverinë aktuale.

Të nderuar qytetarë, të nderuar sipërmarrës, që e mbani gjallë ekonominë e Kosovës, Ne e kuptojmë shqetësimin dhe nevojën tuaj dhe po ashtu kemi gatishmërinë që edhe nga opozita, të ju ndihmojmë, siç ju kemi ndihmuar gjithmonë edhe kur kemi udhëhequr me vendin. Propozimet tona janë ndihma konkrete për qytetarët dhe bizneset dhe kapin shumën mbi 400 milionë euro.

Për këtë qëllim, PDK do të inicioj një seancë të jashtëzakonshme këtë javë, ku ligji për rimekembje ekonomike do të votohet dhe qytetarët e bizneset do të marrin ndihmat e nevojshme për ta përballuar më lehtë krizën ekonomike që ka kapluar vendin. Më lejoni që t’i prezantoj propzimet konkrete të Partisë Demokratike të Kosovës;

1. Të themelohet një fond i veçantë, i cili do të shërbejë për t’i paguar të gjithë të punësuarit në sektorin privat, që kanë humbur vendet e tyre të punës si pasojë e pandemisë së koronavirusit. Pra, të gjithë punëtorët e sektorit privat të regjistruar si të pa punë, e që kanë qenë në marrëdhënie pune deri në Shtator 2020, por që nga muaji tetor 2020 janë liruar nga punëdhënësi si pasojë e ndikimit të COVID -19, do të paguhen nga ana e Qeverisë së paku tre deri në katër muaj përkatës me nga 300 euro në muaj.

2. Të themelohet granti në shumë prej 200 milionë euro, për ndihmë direkte financiare bizneseve të cilat kanë vështirësi të funksionimit si rezultat i ndikimit të COVID-19. Këto mjete të grantit do t’i shpërndahen të gjitha bizneseve sipas kritereve dhe kushteve të caktuara nga ana e një Komisionit të posaçëm i cili do të themelohet ekskluzivisht për këtë çështje nga ana e Qeverisë së Kosovës, të cilat dëshmojnë se e kanë të vështirë zhvillimin e afarizmit si pasojë e ndikimit të COVID -19.

3. Të gjithë qytetarët që kanë kontribuar në Trustin Pensional të Kosovës deri në shumën 10 mijë Euro, në rast të tërheqjes së shumës 10 % (dhjetë për qind) nga ana e tyre, Qeveria e Kosovës do ta kompensoj tek TRUST-i brenda pesë viteve të ardhshme në mënyrë që ata qytetarë t’i kenë mjetet e tyre për moshën e pleqërisë.

4. Qeveria e Kosovës duhet të liroj nga TVSH-ja lëndën e parë e cila prodhohet nga bizneset kosovare, pavarësisht a eksportohet jashtë vendit apo jo. 5. Dhe në fund, por jo nga rëndësia, me qëllim të rritjes së transparencës dhe për ta përcjell efektin e këtyre masave, PDK kërkon që të njejtat të jenë të specifikuara qartë në kuadër të ligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2021.

Besojmë që kontribut në këtë drejtim do të japin deputetët në Kuvendin e Kosovës dhe Asociacionet përfaqësuese të bizneseve. Ne presim që të gjitha partitë parlamentare ta mbështesin këtë iniciativë të PDK-së dhe ta nënshkruajnë nismën tonë për seancë të jashtëzakonshme që ta miratojmë ligjin e rimëkëmbjes ekonomike brenda kësaj jave.