Vrasja në Podujevë

“Këta s’dalin në vikend me punu edhe nëse NATO i bjen”, përplasje mes avokatit dhe prokurores në gjykimin për vrasjen në Podujevë

Seanca fillestare ndaj të akuzuarit Arsim Syla për rastin e vrasjes së V.B në “Interex” në Podujevë, është shtyrë të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë për shkak se mbrojtja nuk i ka pranuar nga Prokuroria të gjitha provat lidhur me rastin. Kjo gjë nxiti debat mes prokurores Dulina Hamiti dhe avokatit të Sylës, Besnik Berisha.

Fillimisht, prokurorja Dulina Hamiti deklaroi se e ka pajisur me shkresat e lëndës mbrojtësin e palës së akuzuar, avokatin Besnik Berisha, por lidhur me CD-të, tha se ato janë në shumëzim e sipër dhe në momentin që të përfundojë shumëzimi i tyre do t’i dorëzohen mbrojtësve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kurse, avokati Berisha tha që mbrojtja është e pajisur pjesërisht me shkresat e lëndëve dhe se nuk është në dijeni nese Prokuroria disponon prova të tjera përpos atyre që i ka pranuar. Ai tha se konsiderojnë që Prokuroria nuk e ka përmbushur obligimin për paraqitjen e provave.

“Pas përpjekjeve dhe vetëm pas intervenimit të gjykatës disa herë, jam pajis pjesërisht me shkresat e lëndës, ku përveç 21 CD-ve që mungojnë, nga provat materiale mungon edhe raporti i ekspertizës mjeko-ligjore i datës 20.10.2023, i përpiluar nga eksperti mjeko-ligjor Flamur Dylhasi, për të dëmtuarën L.S., raporti analitik i video-inçizimeve së bashku me një CD me numër të rastit, procesverbali i kontrollit me numër të rastit, vërtetimi mbi sekuestrimin e automjetit me numër të rastit dhe 21 CD të video-inçizimeve me numër të rastit të njëjtë”, tha Berisha.

Sipas tij, kjo listë e provave që mungojnë është nxjerrë nga lista e provave të propozuara në aktakuzë.

“Ndërkaq, nuk jemi në dijeni nëse Prokuroria disponon edhe prova tjera të cilat nuk i ka zbuluar te ne nga kjo gjykatë. Për këto arsye, nuk mund të konsiderohet se Prokuroria e ka mbushur obligimin për paraqitjen e provave”, tha avokati Berisha.

Avokati Berisha deklaroi gjithashtu se nuk ka kushte për të vazhduar me këtë proces.

Edhe kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku, deklaroi se nuk mund të vazhdohet me shqyrtim fillestar, për shkak se mbrojtja nuk i ka pranuar të gjitha provat, me arsyen se shkelen të drejtat e palëve të garantuara me Kushtetutë dhe me Konventë Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Gjykatësja kërkoi nga prokurorja Dulina Hamiti të deklarohet lidhur me afatin se kur mundet të pajiset mbrojtja me shkresat e lëndës dhe CD-të.

“Kërkoj nga prokurorja e shtetit të na japë një datë se kur definitivisht mundet të pajiset avokati mbrojtës me CD dhe të gjitha shkresat”, tha gjykatësja Dërmaku.

Kurse, prokurorja Hamiti u deklarua se në momentin që të kryhet shumëzimi i CD-ve, do ta pajisin avokatin me CD-të.

Pasi gjykata obligoi prokuroren që ta pajisë mbrojtjen me shkresa të lëndës, avokati Berisha tha se nuk beson se Prokuroria do ta përmbush këtë detyrim, pasi që sipas tij në fundjavë Prokurorisë “edhe po t’i bie NATO nuk punojnë”.

Prokurorja Dulina Hamiti kërkoi që shprehja e avokatit Berisha të evidentohet në procesverbal dhe se e konsideron fyerjen më të rëndë që e ka përjetuar në sistemin prokurorial.

“Të evidentohen fjalët e avokatit sepse thuhet me i ra NATO Prokurorisë e nuk del me punu në vikend, kur unë kam qenë kujdestare, krejt javën edhe kam dalë në punë, e kam dëshminë që kam dalë edhe të shtunën, me e fy aq rëndë Prokurorinë kjo nuk lejohet”, tha prokurorja Hamiti.

Kurse, avokati Berisha tha se Gjykata përmes e-mailit ia ka sqaruar Prokurorisë të drejtat dhe detyrimet.

“Sa i përket fjalisë në thonjëza “se këta edhe NATO nëse i bjen Prokurorisë nuk dalin me punu në fundjavë”, me arsyetimin e prokurores se paska dalë në kujdestari, unë e mbështes me situatën që përjetuam në fundjavën e kaluar, ku gjykata i shkruan e-mail Prokurorisë goxha gjatë dhe ia sqaron të drejtat dhe detyrimet që këta duhet me i ditë çdo herë. Dhe këta jo vetëm që nuk e trajtojnë në fundjave e gjatë festës, po deri dje nuk merren fare me atë punë”, tha Berisha.

Sipas tij, nëse Prokuroria e lexoi e-mailin e Gjykatës dhe nuk dha përgjigje, është mosrespektim apo mospërfillje e Gjykatës.

Në anën tjetër, kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku tha se për këtë situatë është fajtore Prokuroria.

“Prokurore, sa për dijeninë tande, nëse është dikush që neve jemi në këtë situatë, jemi këtu për faj të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, që nuk i ka kry obligimet ligjore të parapara me nenin 239, kaq është e thjeshtë”, tha Dermaku.

Ndryshe, Arsim Syla akuzohet për rastin e vrasjes së V.B më 11 shtator 2023 në “Interex” në Podujevë. Në këtë rast, e plagosur kishte mbetur bashkëshortja e viktimës. Ndërsa, i pandehuri tjetër gjendet në arrati.

VIDEO BONUS: