LAJMI I FUNDIT

Këta janë 12 zyrtarët e ATK-së të arrestuar për dëmtim të buxhetit të shtetit në vlerë 2.8 milionë euro (emrat)

13 persona, prej tyre 12 zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), kanë rënë në prangat e Policisë së Kosovës sot gjatë një aksioni të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Drejtorisë për Krime Ekonomike dhe Korrupsion të Policisë së Kosovës. Ata dyshohet se kanë kryer veprat penale ‘Mashtrimi në detyrë’, ‘Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin’ dhe ‘Shmangie nga tatimi’,

Përmes një komunikate të përbashkët të Policisë dhe Prokurorisë, është bërë e ditur se personat me inicialet M.Z., N.B., S.T., A.J., M.R., M.Z., M.B., G.Gj., A.P., V.K., A.R., Xh.H., zyrtarë të ATK-së, dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mashtrimi në detyrë”, nga neni 419 i KPRK-së ashtu që të dyshuarit F.P. (Feim Pulaj), pronar i tri bizneseve në Prizren ia kanë njohur si të rregullta 23 fatura fiktive me vlerë prej 18 milionë euro, kinse për ndërtimin e një hoteli i cili veç ka qenë i ndërtuar më pare.

Ballkani.info merr vesh se në mesin e zyrtarëve të arrestuar të ATK-së është edhe Vllaznim Krasniqi.

Vllaznim Krasniqi, ka qenë këshilltari i ish ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci dhe në vitin 2019 ishte në mesin e 20 inspektorëve të punësuar në Administratën Tatimore të Kosovës.

Zyrtarët tjerë të arrestuar sot janë: Milaim Berisha, Adil Paqarizi, Gazmend Gjocaj, Nesim Bajrami, Muhamet Rafuna, Agim Rama, Avdi Jakupi, Safet Temaj, Masar Zejnullahu, Xhemajl Hertica dhe  Murtez Zeqiri.

Sipas komunikatës së Prokurorisë, zyrtarët e ATK-së dyshohet se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘Mashtrimi në detyrë’, ashtu që të dyshuarit, Feim Pulaj, i cili ka në pronësi tri biznese në Prizren, ia kanë njohur të rregullta 23 fatura fiktive në vlerë prej 18 milionë euro, kinse për ndërtimin e një hoteli i cili veç se ishte i ndërtuar, e të cilat fatura i kishte pranuar nga të dyshuarit tjerë, B.B., dhe B.B., të cilët janë pronarë të një biznesi në Podujevë dhe momentalisht janë në arrati.

“Si rezultat i këtyre veprimeve, zyrtarët e ATK-së i kanë njohur të drejtën e rimburisimit të TVSH-së së zbritshme në shumën prej 2.8 milion euro për çka ekziston edhe një Urdhër i Përmbaruesit Privat për rimbursim të detyruar nga Buxheti i Kosovës, por se kjo procedurë është pezulluar në momentet e fundit për shkak të inicimit të rastit penal ndaj të pandehurve të lartcekur”, thuhet në komunikatë.

Pronari i hotelit ‘Lakeside’ në Vërmicë të Prizrenit, Feim Pulaj, i cili dyshohet se në bashkëkryerje me dy persona tjerë, dyshohet se kanë dëmtuar buxhetin e shtetit për 2.8 milionë euro.

Gjatë aksionit në pronat e njërit prej të dyshuarve janë gjetur dhe sekuestruar një sasi armësh, tri të gjata, tri të shkurtëra, pajisje elektronike, telefon e prova të tjera materiale.

Me urdhër të prokurorit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë dhe brenda afatit ligjor pritet që të parashtrohet kërkesa për paraburgim. /Ballkani.info/