Këshilltari i Thaçit: Është dezinfektuar Kuvendi para disa ditësh, mbi Kushtetutën nuk mund të jetë asnjë institut e institucion

Këshilltari politik i presidentit Thaçi, Adil Behramaj, ka reaguar pasi Kuvendi ka konfirmuar që i kanë kërkuar opinion Institutit të Shëndetit Publik nëse mund të mbahet seanca për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë.

Behramaj ka thënë se asnjë institut dhe asnjë institucion nuk mund të jetë mbi Kushtetutën e Kosovës.

Ai ka thënë se kryeparlamentarja duhet ta thërras seancën dhe t’i lërë lojërat politike, sepse edhe vetë e dinë shumë mirë që i gjithë objekti i Kuvendit, përfshirë këtu edhe sallën e seancave, janë dezinfektuar para 3-4 ditësh nga ekipet profesionale, që të mund të mblidhen deputetët.

“Asnjë institut dhe asnjë institucion nuk mund të jetë mbi Kushtetutën e Kosovës. Këtë duhet ta dijë edhe Vjosa Osmani, e cila i ka ditët e fundit për të dëshmuar nëse aty është për t’i shërbyer Albin Kurtit, duke e shkelur Kushtetutën e Kosovës dhe Rregulloren e Kuvendit apo për t’i ushtruar kompetencat e saj kushtetuese dhe ligjore në shërbim të të zgjedhurve të popullit dhe vetë popullit.
Kuvendi është institucion ligjvënës, i zgjedhur drejtpërdrejt nga populli dhe jo i zgjedhur nga Vjosa Osmani. Përpjekjet e saj për ta vonuar Mocionin e Mosbesimit, duke i kërkuar opinion IKSHPK-së për mbajtje të seancës, drejtori i të cilës nuk guxonte të vinte as në takim me presidentin pa lejen e ministrit dhe ky i fundit, po ashtu, nuk guxonte as ta lejonte të vinte pa e pyetur kryeministrin, ua fyejnë edhe inteligjencën qytetarëve.
Neni 100 i Kushtetutës së Kosovës, i cili rregullon çështjen e Mocionit të Votëbesimit, në pikën 3 thotë shumë qartë se Mocioni i Mosbesimit vihet në rendin e ditës së Kuvendit, jo më vonë se pesë (5) ditë e as më herët se dy (2) ditë nga data e parashtrimit të tij. Edhe Rregullorja e Kuvendit e thotë të njëjtën gjë në nenin 30.
Thirre seancën kryeparlamentare dhe lëri lojërat politike, se e dinë shumë mirë që i gjithë objekti i Kuvendit, përfshirë këtu edhe sallën e seancave, janë dezinfektuar para 3-4 ditësh nga ekipet profesionale, që të mund të mblidhen deputetët.
Shumë qeveri e legjislatura janë rrëzuar në të kaluarën, por kurrë nuk kanë shkuar duke vajtuar kështu si ju!”, ka shkruar Behramaj.