Në një tavolinë, ku sipas masave anti-Covid do të duhej të ishin të ulur 5 persona, ishin ulur tetë. Në mesin e tyre, edhe dy krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti.
E gjithë kjo në Darkën e Lamës, darkë kjo e organizuar tradicionalisht nga presidentët e vendit, nisur nga presidenti Ibrahim Rugova.
Reagime të shumta ka pasur nga të gjitha anët për këtë Darkë, duke nisur nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, Oda e Hotelerisë, etj, të cilët e kanë kritikuar Presidencën për këtë organizim, ndërsa kanë kërkuar lirimin e masave.
Mirëpo, Bekim Kupina, këshilltar i presidentes, ka thënë se Darka e Lamës është darkë institucionale- shtetërore ku jane promovuar prodhimet vendore, ndaj është mbajtur si e tillë.
“Në të kanë marrë pjesë rreth 100 persona të ftuar. Salla në të cilën është mbajtur darka është e dedikuar për 800 persona, për raste të kongreseve, kurse 500 persona për organizime të tjera. Rrjedhimisht nuk ka pasur shkelje të rregullave pandemike. Nuk ka pas nevojë për leje prej Qendrës Operative Emergjente të MSH-së, sepse nuk ishte kongres, apo konferencë, por një darkë tradicionale. Pra, një aktivitet protokollar me pjesëmarrjen e ambasadave të akredituara në Kosovë, prodhuesve vendorë, si dhe personaliteteve nga shëndetesia, arti, kultura, shkenca, inovacioni dhe përfaqësuese të grave të Krushës. Pjesëmarrës kishte vetëm në 15 për qind të të gjithë sipërfaqes. Largësia ndërmjet tavolinave ka qenë afro 2 metra. Pjesëmarrësit kanë qenë të vaksinuar”, ka thënë Kupina. /Ballkani.info/







