Këshilltari i Kadri Veselit reagon ashpër ndaj atyre që linçuan Naim Abazin: Jeni si ISIS-i!

Blerim Latifi, këshilltar i kryeparlamentarit Kadri Veselit, ka reaguar pasi Naim Abazi është detyruar të kërkojë falje për një deklaratë të tij rreth humanistit Halil Kastrati.

Latifi thotë se kërkimfalja e Abazit për një frazë tregon efektin që ka arritur linçimi i tij publik.

Ndryshe Naim Abazi në një emision kishte thënë se humanisti Halil Kastrati bën punë të shkëlqyeshme, por këtë punë e bën me paratë që të tjerët i dhurojnë

Postimi i plotë i Latifit:

Kërkim falja e Naim Abazit, për një frazë krejtësisht të pafajshme të tij, tregon efektin brutal që ka mbi njerëzit linçimi publik. I skuqur në fytyrë, me gjuhën që i ngatërrohej nga shqetësimi i brendshëm, ai kërkoi falje për një krim që nuk e kishte bërë.

Ku i kemi parë këto pamje?

Ku tjetër përpos në regjimin e Stalinit dhe atë të Rankoviçit?! Kështu vepronin policia politike e Stalinit dhe UDB-ja e Rankoviçit: i detyronin viktimat e tyre të kërkonin falje për krime që kurrë si kishin bërë. Ky është ISIS-i digjital. Ky është ISIS-i mental, që mendon si ISIS-i real. Shprehet si ai. Urren si ai. Dhe po si ai, me gjuhën më të ndyrë të mundshme, sulmon secilin që merr guximin të shprehet ndryshe prej fanatizmit të tij mesjetar. Me një dallim: ende nuk kanë marrë guximin t’i kapin armët dhe të dalin rrugëve për të vrarë njerëz. Ama frikën e kanë mbjellë. Por, ky vend nuk ka me u dorëzu përballë kësaj fare të keqe, që e kanë mbjellë pasardhëset e policisë politike të Stalinit dhe UDB-së së Rankoviçit, me synimin që shqiptarët t’i shkëpusin nga djepi i tyre civilizues- Europa. Nuk ka me u dorëzu dhe në fund ka me fitu. Shpirti i këtij vendi u ka mbijetu edhe mizorive më të mëdha, e lëre më agresivitetit digjital të kësaj mase rrugaçësh, këtij llumi social. Dhe ka një shkak të parë dhe të fundit pse ka me ndodhë kështu : njerëzit e mirë përbëjnë shumicën absolute të këtij vendi. Ata janë në secilin besim fetar të tij, në secilën parti politike, në secilin qytet e fshat të Kosovës.

Kohërat e deliktit verbal kanë vdekur, për të mos u ringjallur kurrë më.