Këshilltari politik i kryeparlamentarit, Kadri Veseli, filozofi Blerim Latifi ka reaguar pas deklaratës së ministrit të Transportit, Pal Lekaj i cili mbrëmë tha se po të ishte në fuqinë e tij do të kërkonte largimin e ambasadorit zviceran Jean-Hubert Lebet nga Kosova.
Ky i fundit nxiti reagime të mëdha në Kosovë pas deklarimeve në Skënderaj se “Zvicra po ndërton ujësjellës në Kosovë, ndërsa ju po i paguani veteranët e rrejshëm”.
Mirëpo, këshilltari i Latifit nuk është marrë vetëm me Lekajn, por me të gjithë AAK-në. Ai madje i ka fyer pushtetarët e AAK-së duke nisur nga kryeministri Ramush Haradinaj e më poshtë, shkruan Ballkani.info.
“Disa prej miqëve tanë në AAK ka fillu me i tranu pushteti. Simptoma e parë që tregon se të ka tranu pushteti është humbja e aftësisë për t’u treguar politikisht korrekt me njerëzit dhe shoqërinë”, kështu shkruan Latifi.

Ai në postimin me titull “Kur pushteti të tranon”, thekson se “njëri çohet dhe i arsyeton keqpërdorimet duke thënë se meqë të tjerët para nesh kanë abuzuar me pushtetin, tash është rradha jonë ta bëjmë të njëjtën gjë”.
“Pra, politika s’qenka asgjë më shumë se rotacion keqpërdoruesish. Tjetri çohet, e pa ju dridhë çerpiku, thotë se qytetarët me librezë të AAK-së janë më rëndësishëm se qytetarët me përkatësi tjetër partiake. Që do të thotë se fisi dhe klientela partiake nuk pyesin për ligj e barazi para ligjit. Një tjetër thotë se, po të ishte në dorën e tij, sot do ta dëbonte nga Kosova ambasadorin e Zvicrës. Që do të thotë se kemi ardhë deri aty sa edhe mikun, që ta thotë të vërtetën, me shpallë armik të shtetit. Një tjetër… S’po vazhdoj më tutje, se janë shumë. Kryeministër, a je kun? Afroj pak mashkujt, se janë duke ta marrë ftyrën ty, e tanë Kosovës!”, ka shkruar ai në fund. /Ballkani.info/







