Kërkohet që edhe zyrtarët korrektues të shpërblehen nga pakoja emergjente fiskale

Me pakon emergjente fiskale të propozuar ditë më parë nga Ministria e Financave dhe Transfereve, mjekët, policët, dhe zjarrfikësit pritet të shpërblehen me nga 300 euro për dy muaj.

Megjithatë, në këtë pako nuk janë përfshirë edhe zyrtarët korrektues. Për këtë, këta të fundit kanë shprehur pakënaqësitë e tyre, duke kërkuar që të njëjtit të trajtohen njëjtë.

Drejtori i Shërbimit Korrektues, Nehat Thaqi në një intervistë për KosovaPress, tregon se ministrja në detyrë e Drejtësisë i ka dërguar kërkesë Ministrisë së Financave në mënyrë që edhe zyrtarët korrektues të kenë këto shpërblime.

Sipas tij, kërkesa e zyrtarëve korrektues është legjitime, pasi që të njëjtit kanë qenë në krye të detyrës, ashtu si mjekët dhe policët.

“Është kërkesë e sindikatës dhe përfaqësuesve legjitime e punëtorëve të shërbimit korrektues dhe është mjaft legjitime. Zyrtarët e Shërbimit Korrektues kanë qëndruar heroikisht gjatë kësaj periudhe kur të gjithë është dashur të qëndrojnë në shtëpia, kur të gjithë është dashur që të kenë kujdes të shtuar kanë qenë në thirrje të detyrës, kanë qenë në punën e tyre rutinore. Dhe deri tash kanë arritur që të menaxhojnë shqetësimet e ndryshme të të burgosurve duke pasur parasysh që të gjithë të burgosurit në rajon janë liruar për masa të përkohshme, mirëpo ne ende se kemi marrë këtë vendim”, thotë Thaqi.

Krahas kësaj, derisa thekson rrezikun me të cilin po përballen zyrtarët korrektues, drejtori i burgjeve të Kosovës thotë se personat të cilët kanë pasur probleme shëndetësore dhe mbi moshën 60 vjeçare janë liruar nga puna.

“Ne në fillim kemi pasur disa raste, por dallimi prej neve dhe policisë, sepse ne kemi edhe mjekë brenda burgjeve. Ka pasur të tillë që kanë shfaqur simptoma, por kanë pasur kontrolle të vazhdueshme prej mjekëve. Prandaj edhe nuk ka pasur nevojë për vetëizolim të zyrtarëve korrektues. Ne prej kohësh ata zyrtarë korrektues që kanë qenë me probleme shëndetësore mbi moshën 60 vjeçare, të gjithë ata i kemi lejuar me kohë. Prandaj prej kohësh ne i kemi marrë ato vendime në mënyrë që të parandalojmë çfarë do situate apo çfarë do rrethane që të përhapet virusi apo të përhapet dyshimi për virusin brenda institucioneve tona”, shton Thaqi.

Thaqi zotohet se që nga fillimi kanë shpërndarë maska e dezinfektues për zyrtarët korrektues dhe të burgosurit. Tashmë të burgosurit, siç tregon ai do të fillojnë edhe me prodhimin e tyre për t’i dhuruar si donacion.

“Prej javës së ardhshme ne do të prodhojmë maska edhe për institucionet edhe për institucionet e tjera që ne do t’i dhurojmë si donacion. Një pjesë prodhohen nga të burgosurat femra, një pjesë të burgosurve të mitur dhe gjithashtu gjatë kësaj jave do të fillojmë edhe Qendrën në Mitrovicë ku do të fillojmë prodhimin e maskave”, thotë ai ndër të tjera.

Si masë parandaluese ndaj koronavirusit, Shërbimi Korrektues i Kosovës, ka ndaluar vizitat në burgjet e Kosovës. Të burgosurve do t`iu mundësohen telefonata më të shpeshta me familjarë dhe komunikim virtual përmes Skype, i cili tashmë është i instaluar nëpër disa qendra korrektuese.

“Në fillim janë ndaluar të gjitha vizitat, ndërsa në të njëjtën kohë ku i është lejuar telefonata për shkak se në të kaluarën kanë pasur të drejtë vetëm dy telefonata në javë. Tash e kanë telefonatën palimit, sa herë të donë dhe të kanë nevojë mund të kontaktojnë me familjarët e tyre, përmes telefonit. Dhe për një afat rekord kemi instaluar rrjetin e komunikimit virtual “skype”, për të gjitha qendrat tona të burgimit dhe paraburgimit”, deklaron ai.

Në mbledhjen e ardhshme që pritet të mbahet në fillim të javës së ardhshme, Qeveria e Kosovës do të shqyrtojë dhe do ta hedhë për votim pakon emergjente në vlerë prej 170,6 milionë euro.

Kjo pako emergjente është propozuar nga ministri në detyrë i Financave dhe Trasfereve, Besnik Bislimi për tejkalimin e gjendjes emergjente e cila është krijuar me pandeminë COVID-19.