Kërkohet paraburgim ndaj dy personave për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe kontrabandë me mallra

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata Themelore në Gjilan, ndaj të pandehurve M.A. dhe N.K., të cilët me urdhër të prokurorit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh.

“Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se më 05 Tetor 2021, i pandehuri M.A., në cilësinë e personit zyrtar – roje pylli, tek autoriteti pyjor në komunën e Kamenicës, me dashje ka keqpërdorur pozitën zyrtare, në atë mënyrë që ka damkosur rreth 12 kubik drunjë, të llojit pishë, edhe përkundër faktit që kjo sasi e drunjëve ishte kontrabanduar nga Republika e Serbisë, me ç’rast ka legalizuar këtë sasi të drunjëve duke i mundësuar të pandehurit tjetër N.K., që të përfitojë duke e dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës”, njofton prokuroria.

Me këto veprime, i pandehuri M.A., dyshohet se ka kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, ndërsa, i pandehuri N.K., dyshohet për veprën penale ‘’Kontrabandimi me mallra’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.