Spanjë

Kërcënoi një vogëlushe me fanellën e Vinicius Jr: Arrestohet tifozi i Atletico Madrid

Policia spanjolle ka arrestuar një tifoz të Atletico Madrid me akuzën se ishte autor i fyerjeve raciste dhe kërcënimeve me vdekje ndaj një vajze 8-vjeçare. Vogëlushja ishte “fajtore” se kishte veshur fanellën e një lojtari të Real Madrid, Vinicius Jr, para derbit të 24 shtatorit.

Episodi i tmerrshëm ndodhi pranë stadiumit Wanda Metropolitano para fillimit të derbit. Sipas rikonstruksioneve, burri iu afrua vajzës së vogël të veshur me fanellën e Vinicius Jr, në krahët e një familjari, e filloi ta ofendonte, duke goditur më pas edhe personin që e mbante në dy raste. Sipas burimeve nga selia e policisë së Madridit, disa tifozë të Atletico, që kishin qenë dëshmitarë të skenës, kanë ndërhyrë me shpejtësi dhe kanë penguar vazhdimin dhe përshkallëzimin e agresionit.

Më pas e mitura është detyruar të largohet nga impianti i shoqëruar nga të afërmit e saj, për shkak të sulmit të fortë ankthi që ka pësuar. Policia ka nisur menjëherë hetimet dhe, falë videove të siguruara nga një gazetar që ndodhej në vendin e ngjarjes së shëmtuar, ka arritur ditët e fundit të përcaktojë pikën ku agresori ka hyrë në stadium dhe në këtë mënyrë ta identifikojë. Të mërkurën e kaluar ai u arrestua si autor i dyshuar i një krimi nga urrejtja. Ditën e djeshme “tifozi”, nëse mund të cilësohet i tillë, përfundoi në pranga.