Kërcënimi i fundit, Rumania do të përjashtohet nga UEFA nëse refuzon të luajë me Kosovën

Shorti në Frankfurt të Gjermanisë për Euro 2024, vendosi në një grup Rumaninë, Zvicrën, Izraelin, Bjellorusinë, Andorrën, dhe Kosovën.

Duke qenë se Rumania është një nga vendet që nuk e njohu pavarësinë e Kosovës, u ngrit pyetja nëse kombëtarja e tyre do të luajë ndeshjen kualifikuese.

“Duke qenë se Rumania dhe Kosova janë në të njëjtin grup dhe duke pasur parasysh situatën gjeopolitike, Federata Rumune e Futbollit do të dialogojë me Qeverinë e Rumanisë për kushtet e ndeshjes në të cilën vendi ynë do të mirëpresë Kosovën”,  kanë thënë nga Federata për portalin “GSP”.

Deklaratë kërcënuese kishte bërë edhe Ish-ministri i Jashtëm i Rumanisë Teodor Malescanu i cili ka thënë se Rumania duhet të refuzojë të luajë me Kosovën.

Mirëpo, kërcënimet e fundit e kanë mbështetur për muri Rumaninë dhe nuk ka asnjë shanse që ajo të refuzojë ndeshjen.

“Mospjesëmarrja në ndeshje për arsye politike do të çonte në ndarjen e Federatës Rumune të Futbollit nga UEFA. UEFA nuk pranon ndërhyrjen politike në futboll dhe vendi ynë do të përjashtohej nga UEFA”, ka shkruar shumë qartë portali i njohur rumun, GPS.