Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ramiz Kelmendi e ka dematuar kandidaten e kësaj partie për kryeministre, Vjosa Osmanin, e cila mbrëmë tha se Kelmendi është larguar nga LDK-ja pasi ajo e ka refuzuar kërkesën e tij për të qenë zëvendëskryeministër në qeverinë e saj.

“Ju e kishit Ramiz Kelmendin në intervistë, ai e tha shumë mirë e pranoi drejtë, unë nuk do të rri në LDK, Vjosa Osmani nuk ka pranuar të më bëj zëvendëskryeministër. Ai ka kërkuar në parti që të ketë një garancë, dhe përgjigja që e ka marrë nga partia ka qenë se për këtë vendos Kryeministrja”, ka thënë mbrëmë Osmani.

Kelmendi në një prononcim për Ballkani.info, tha se për aderimin e tij në LDK dhe pastaj për largimin nga kjo parti ka biseduar vetëm me Isa Mustafën, kryetarin e kësaj partie dhe asnjëherë me Vjosa Osmanin.

“Kur unë kam qenë deputet i pavarur, LDK-ja më ka bërë ofertë që të bëhet zëvendëskryeministër për shkak të profesionalizmit tim. Për aderimin tim në LDK pata biseduar me zotin Mustafa. Dhe pasi qeveria Mustafa është vlerësu si më e suksesshmja unë këtë herë kam kërku nga zoti Mustafa që të jem prapë zv/kryeministër, por ai më ka thënë se nuk mund të më garantojë këtë post. Prandaj unë jam largu nga LDK-ja. Me Vjosa Osmanin as nuk jemi parë dhe as nuk kemi biseduar. Unë as nuk ia kam dhënë asaj të drejtën të më refuzoj”, sqaroi Kelmendi.

Ish-deputeti tha se ai nuk ka kandiduar për të qenë pjesë e asnjë strukture brenda LDK-së, por e kanë zgjedhur anëtar të Këshillit të Përgjithshëm, pa vullnetin e tij. Dhe mungesa e tij në këtë mbledhje, si rrjedhojë mosvotimi për kandidimin e Osmanit, sipas tij e ka bërë atë të mendoj se ai ka qenë kundër zgjedhjes së saj.

“Unë kam qenë anëtar i Këshillit të Përgjithshëm, pa vullnetin tim. LDK-ja mu më ka zgjedhë, pa konkuru për këshill të përgjithshëm, do të thotë për shkak të suskesit dhe profesionalizimit që kam. Por, unë kam thënë se nuk dua të marr pjesë për shkak se nuk dua të jem në asnjë strukturë të LDK-së. Vjosa Osmani ka krijuar precepsion se kur është votuar ajo për kandidate për kryeministre, vota ime ka munguar se unë nuk kam qenë fare në mbledhje. Dhe ajo ka mendu se unë nuk pajtohem me zgjedhjen e saj kandidate për kryeminsitre”, tha Kelmendi.

Ai kërkoi që Vjosa Osmani t’i kërkoj falje për deklaratat rreth arsyes së largimit të tij.

“E ftoj që ajo të kërkoj falje për arsye që ajo as nuk ka mundur të më shoh e as nuk kemi biseduar, dhe unë nuk ia kisha dhënë asaj të drejtën për të më refuzuar”, përfundoi ai. /Ballkani.info/

loading…