Kelmendi: Evropa duhet të krenohet me pjekurinë demokratike që po e kultivon Kosova

Gazetari, Adriatik Kelmendi ka thënë se proceset politike në Kosova janë shembull i demokracisë në rajon.

Duke komentuar zgjedhjet e brendshme brenda LDK’së që u mbajtën sot, Kelmendi thotë se Kosova është shembull i demokracisë në rajon.

“Çfarë Kosove loçkë! Sot një muaj, “Vetëvendosje!” i fitoi zgjedhjet dhe i mundi thellë të gjitha partitë që kanë udhëhequr me Kosovën tash e 20 vjet dhe të gjithë ia uruan menjëherë. Askush nuk kontestoi rezultat, askush nuk protestoi kundër, asnjë incident më i vogël s’u shënua. Kur në shtet e rajonit pati ndryshime të këtilla politike ishte krejt ndryshe (pa mëtuar të bëj krahasime për partitë në opozitë ose pushtet në to). Në Maqedoni u përgjakën deputetët në Kuvend, në Mal të Zi u tentua atentat ndaj presidentit, kurse në Serbi iu vu flaka Kuvendit.”, shkroi ai.

“Sot, partia më e vjetër në vend, LDK, e votoi për kryetar një 38-vjeçar, i cili vetëm 4 vjet më parë iu bashkua. Kuvendi shkoi në atmosferë feste, të gjithë kundërkandidatët e uruan fituesin dhe premtuan bashkëpunim. Krejt këto ndodhin në shtetin më të ri në Evropë, por edhe në shtetin e vetëm të izoluar në Evropë. Eh, bash kjo Evropë duhet të krenohet me pjekurinë demokratike që po e kultivon Kosova. Jemi shembull!”, shtoi Kelmendi.