KEK-u konfirmon rënien e bllokut A5 që punoi vetëm 10 ditë: Do të kthehet në operim së shpejti

Lajmi që u prezantua me pompozitet nga Qeveria e Kosovës se më në fund është kthyer në funksion blloku A5 i Kosovës A, po del të jetë vetëm një marketing për t’iu shpëtuar kritikave. Ky bllok punoi vetëm pak ditë dhe tash prapë është jashtë funksionit.

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka thënë se Njësia A5 e Termocentralit “Kosova A” do të kthehet në operim së shpejti.

Skënder Bucolli, zyrtar për informim në KEK, në një përgjigje për Demokracia.com tregoi se kjo njësi ka hyrë në operim më 6 maj. Sipas tij, pas remontit kapital, njësia A5 ka qenë në fazë testuese.

“Korporata Energjetike e Kosovës ju njofton se njësia A5 pas remontit kapital  ka hyrë në operim me datë: 06.05.2023 dhe ka qenë në fazë testuese. Gjatë kësaj periudhe janë evidentuar të gjitha vërejtjet të cilat jemi në fazën e eliminimit dhe njësia pritet të kthehet në operim së shpejti. Për më tepër, pas remonteve kapitale janë të planifikuara-nevojshme ndaljet për eliminimin e vërejtjeve për operim të sigurt të njësisë përkatëse”, ka thënë Bucolli.

Të martën, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami pretendoi se ende pa u bërë 10 ditë, blloku A5 ka dalë prapë jashtë funksionit.

“Pa u bë ende 10 ditë, blloku A5 del prapë jashtë funksionit. Thoshin se do të ndalet ”gjakderdhja financiare”, këta dojnë me i qitë në ”komë” ndërmarrjet publike. Ministrja e pat cilësu dhuratë kthimin në punë të bllokut A5, doli të jetë dhuratë, se vetëm dhuratat zgjasin kaq pak. Për qendrushmëri duhet punë konsistente – don me ju shku mandati pa e kuptu këtë gjë”, kishte shkruar ajo në Facebook.

Blloku A-5 për rreth dhjetë muaj ka qenë jashtë funksionit për prodhim. Megjithatë, i njëjti gjatë muajit maj ishte rikthyer në funksion pas remontit.