Përkundër ekzistimit të një shumice të fortë parlamentare, Kuvendi i Kosovës nuk ishte mjaft produktiv gjatë sesionit vjeshtor sipas Institutit Demokratik të Kosovës, ndërsa të njëjtën frymë e shohin edhe sesionin pranveror.
Sipas tyre, Qeveria dhe mazhoranca nuk punuan mjaftueshëm në miratimin e ligjeve, teksa apelojnë që prioritet t’i jepet Projektligjeve që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë dhe marrëveshjeve ndërkombëtare.
Hulumtuesja e lartë në KDI, Tringa Dreshaj, nuk ka shumë pritshmëri për punën në Kuvend. Ajo për Ekonomia Online thotë se situatë të njëjtë pritet të vazhdojë edhe viti i fundit e kësaj legjislature.
“Ne nuk kemi edhe shumë pritshmëri se do të ketë një ndryshueshmëri të madhe të situatës në Kuvend sepse i kemi parë ndeshjet e mëdha që kanë qenë mes partive të pushtetit dhe të opozitës, mirëpo mendojmë që ky vit do jetë vit që do përfshij ndryshime të mëdha në agjendën legjislative por edhe shtetërore”, thotë ajo.
Ajo pret që këtë vit të trajtohet me prioritet çështja e mungesës së kuorumit dhe të votohen marrëveshjet ndërkombëtare.
“Ne i mirëpresim gjitha nismat që kanë hyrë në Kuvend për votimin e ligjeve dhe marrëveshje ndërkombëtare mirëpo në organizatë e shohim shumë të rëndësishme që në vazhdimësi të sjellën në Kuvend pikat e rendit të ditës edhe pikat e ligjeve me të veçanta, ku përfshihet kryesisht tek sistemi i drejtësisë mirëpo edhe ligjet tjera që janë paraparë nga fillimi i këtij viti me programin e punës së kuvendit por edhe asaj të qeverisë. Vlen të ceket se marrëveshjet ndërkombëtare të cilat kanë mbetur te pa votuara nga viti i kaluar nga sesioni kaluar mirëpo edhe nga i tërë viti kalendarik”, shtoi Dreshaj.
Ajo, në emër të Institutit Demokratik të Kosovës tha se deputetët duhet të bëjnë punën për të cilën janë votuar e që e kanë si detyrë brenda atij institucioni. “Realisht mungesa e reflektimit të opozitës dhe pozitës ka bërë që votimi i shumë projektligjeve të dështojë e që e ka quar Kuvendin në bojkot shumë të madh të punës së tyre. Ne vazhdimisht kemi bërë thirrje deputetëve që ta kryejnë detyrën për të cilën janë pjesë e atij institucioni”, u shpreh ajo.
VIDEO BONUS: S’është në Gjermani, as në Zvicër, këto pamje vijnë nga Republika e Kosovës







