KBI në Drenas kërkon të merren masa disiplinore ndaj imamit Musliu

Këshilli i Bashkësisë Islame në Drenas, ka reaguar lidhur me incidentin e ndodhur, ku u raportua për rrahje mes imamit Osman Musliu dhe sekretarit të KBI-së, Eset Bajraktari.

Sipas KBI-së në Drenas, Musliu ka sulmuar pa asnjë arsye sekretarin Bajraktari.

Po ashtu sipas reagimit thuhet se sjelljet e tilla nga Musliu janë të shpeshta ndaj punëtorëve të KBI-së. KBI-Drenas ka kërkuar nga Bashkësia Islame e Kosovës të merren masa disiplinore ndaj Musliut, dhe po ashtu i kanë bërë thirrje edhe Policisë që të veprojnë konform ligjeve.

Reagimi i plotë i KBI-së: Reagim nga Këshilli i Bashkësisë Islame – DRENAS!

Këshilli i Bashkësisë Islame – Drenas pas mbledhjes së mbajtur më datë 25.11.2020, sqaron opinionin e gjërë lidhur me incidentin e ndodhur më datë 24.11.2020 rreth orës 14:30 në zyret e KBI-Drenas rreth sulmit që i është bërë sekretarit të KBI-Drenas, nga Imami i xhamisë në Drenas Osman Musliu. Këshilli i Bashkësisë Islame në Drenas sqaron opinionin e gjerë lidhur me rastin në fjalë ku Imami Osman Musliu kishte ardhur në objektin e KBI-Drenas dhe ka sulmuar pa asnjë arsye të vetme sekretarin e Këshillit në korridorin e Këshillit. Këshilli i Bashkësisë Islame e dënon sulmin e Imamit të xhamisë së Drenasit, Osman Musliut ndaj sekretarit të Këshillit të Bashkësisë Islame në Drenas. Veprimet e tilla të Imamit në fjalë janë̈ shumë të shpeshta ndaj imamëve dhe zyrtarëve të Këshillit, për këto veprime destruktive dhe krejtësisht të ulëta, kemi reaguar edhe më herët në institucionin e Bashkësisë Islame të Kosovës si dhe në Policinë e Kosovës në Drenas, të dokumentuara edhe me shkresa zyrtare. Këshilli i Bashkësisë Islame në Drenas kërkon nga organet e Bashkësisë Islame të Kosovës që të merren masat diciplinore ndaj Imamit në fjalë .

Gjithashtu Këshilli kërkon nga organet kompetente të Drejtësisë që të veprojnë̈ shpejtë dhe konform ligjeve dhe dispozitave në fuqi. Këshilli i Bashkësisë Islame në Drenas shpreh indinjatën e thellë për veprime të tilla, sepse kjo nuk është hera e parë qe imami në fjalë pengon dhe sulmon zyrtarët e këtij institucioni .

Imami në fjalë ka edhe denoncime të tjera nga po i njëjti institucion dhe që të gjitha janë të njohura për organet kompetente te Drejtësisë dhe për opinionin e gjerë. Këshilli i Bashkësis Islame – DRENAS, 25.11.2020