Katër senatorë të zhgënjyer që s’pati marrëveshje për targat dalin me porosi për Kurtin e Vuçiqin

Senatorja e lartë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeanne Shaheen u shpreh e zhgënjyer për mosarritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave të automjeteve, ndërsa shpërndau një deklaratë të përbashkët të saj me senatorët Ron Johnson, Thom Tillis e Chris Van Hollen.

Kjo mosmarrëveshje “vë në rrezik paqen e fituar me vështirësi”, tha senatorja Shaheen, e cila theksoi se mbështesin përpjekjet e BE-së për të ndërmjetësuar një zgjidhje paqësore.

“Jemi të zhgënjyer nga mungesa e progresit në gjetjen e një rruge diplomatike përpara ndërmjet qeverive të Kosovës dhe Serbisë për ta zgjidhur çështjen e lëshimit të targave të lëshuara nga Kosova në entitetet serbe të Kosovës. Gjithashtu jemi gjithnjë e më të shqetësuar për rrezikun e dhunës dhe destabilitetit në rajon, i cili vë në rrezik dekada të paqes së fituar me vështirësi”, thuhet në deklaratën e përbashkët të senatorëve.

“Ne mbështesim përpjekjet e Bashkimit Europian për të ndërmjetësuar një zgjidhje paqësore të kësaj çështjeje dhe inkurajojmë kryeministrin Kurti të shterojë të gjitha rrugët diplomatike për të arritur një zgjidhje paqësore për këtë me presidentin Vuçiq. Ne gjithashtu shprehim mirënjohjen tonë për trupat tona të KFOR-it që luajtën një rol të rëndësishëm në ruajtjen e paqes në rajon”, thuhet tutje në deklaratë.