MINT

Katër kompani nga Kosova po marrin pjesë në panairin më të madh të modës në Izmir të Turqisë

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) ka mbështetur 4 kompani nga Kosova që po marrin pjesë në panairin e modës “IF Wedding Fashion Izmir Fair 2023”.

Përmes një njoftimi për media, MINT ka treguar se Kosova ka siguruar hapësirën për ekspozimin e punimeve prej 312 metra katror në panairin e modës në Izmir për “Walone Fashion Group”, “Minna”, “Drenusha Xharra” dhe “Tabja”.

“Panairi iu shërben bizneseve vendore në krijimin e lidhjeve të reja dhe rritjen e eksportit, e që këtë vit Kosova ka shënuar rekord në eksport falë politikave mbështetëse ndaj bizneseve që i ka aplikuar Qeveria e Republikës së Kosovës. Në panairin e modës, kompanitë nga Kosova do të realizojnë edhe takime B2B me investitorët dhe blerësit potencial për industrinë e tekstilit”, thuhet në njoftim.

MINT ka njoftuar se në Izmir të Turqisë janë ekspozuar edhe broshurat me informacionet për të bërë biznes në Kosovë.

“Në shtandin e Republikës së Kosovës janë të ekspozuara broshurat me informacione që tregojnë për klimën e të bërit biznes, potencialin dhe lehtësirat që ofron Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për investitorët potencial. Po ashtu vizitorët po njoftohen për potencialin që ka Kosova sidomos në fushën e inovacionit dhe ndërmarrësisë, ku shumë biznese të huaja kanë hapur përfaqësitë për shkak të klimës së favorshme të të bërit biznes, thuhet tutje.

Panairi “IF Wedding Fashion Izmir FAIR 2023”, mbahet nga data 21  deri më 24  nëntor dhe Kosova është në mesin e 238 kompanive që po marrin pjesë nga e gjithë bota./Ballkani.info.