Kastrati kërkoi garanci të luajë, Challandes reagon ashpër: Askush s’e ka vendin e sigurt në Kosovë

Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes, ka zbuluar se Lirim Kastrati i kishte kërkuar atij garanci për të luajtur në dy ndeshjet kualifikuese kundër Republikës së Çekisë dhe Anglisë, duke këmbëngulur se as ai dhe askush tjetër nuk mund ta ketë vendin e sigurt në ekipin e tij.

Në Kosovë pati reagime kur Challandes e publikoi listën me futbollistët e ftuar për ndeshjet e shtatorit dhe Kastrati nuk ishte në të, veçanërisht në mungesë të dy anësorëve titullarë, Arbër Zeneli dhe Milot Rashica, por trajneri zviceran ka zbuluar se 20-vjeçari kishte marrë ftesë, të cilën, megjithatë, e ka refuzuar më vonë sepse nuk kishte marrë garanci paraprake se do të luante.

Kastrati, i cili po shkëlqen me klubin e tij NH Lokomotiva në Prva Liga në Kroaci duke shënuar pesë gola dhe tri asiste në shtatë ndeshje deri tani në këtë fillim sezon, e ka refuzuar ftesën pasi nuk ka marrë garanci nga Challandes – i cili është strikt në vendimet e tij – se do të luajë.

Challandes thotë se ka qenë i qartë me të, duke i bërë ftesë të vijë të stërvitë një javë me ekipin kombëtar para se ai të vendosë se a ta mbajë atë në ekipin A apo ta dërgojë për të luajtur për ekipin kombëtar U21 kundër Anglisë.

Më vonë, Kastrati i kishte kërkuar atij përmes menaxherit të vet garanci se do të aktivizohej, gjë që Challandes nuk ia ka dhënë.

“Dhjetë ditë më parë, kam bërë listën me Lirim Kastratin në të. Por në atë kohë, situata e Rashicës dhe Kolollit s’ishte e qartë. I thashë Lirimit, eja të hënën (nesër), ushtro deri të premten, dhe të premten do të vendos nëse do të qëndrosh me ekipin A ose jo. Nëse s’ka vend luan për ekipin U-21. Ishte e qartë. Vjen ushtron dhe më pas vendosim. Ishte e qartë për mua dhe zgjidhje e mirë për të. Por në këtë javë, mora thirrje nga agjenti dhe më tha se nuk jemi të lumtur me këtë zgjidhje. ‘Ose garantoji Lirimit lojë për ekipin A ose ai nuk vjen’. Kurrë. Kurrë s’do të jap asnjë garanci për asnjë lojtar të kombëtares sonë. Kushdoqoftë. Është vendimi im. Kemi një ekip. Nëse një lojtar merr ftesë, duhet të pranojë. E përsëris: Nëse pranoni ftesën, ju e pranoni rolin që keni në ekip. Në fund, Lirim Kastrati ka marrë vendim. Do të luajë për U-21. Shpresoj të bëjë lojë të mirë. S’jam i sigurt se është zgjidhje e mirë, por s’ka polemika me mua. Është zgjedhje e tij. Të gjithë marrin përgjegjësinë për vete. S’flas për të ardhmen. Askush s’e ka vendin e sigurt, qoftë ai Valoni apo Ujkani. E përsëris nëse e pranon ftesën, atëherë e pranon rolin për ekipin, të jesh gati për ekipin. Unë vendos”, ka thënë Challandes.

loading…