Kombëtarja e Kosovës

Kapiteni Rrahmani e Zhegrova, mungesat e theksuara te Kosova

Amir Rrahmani, Edon Zhegrova dhe Leart Paqarada janë në mesin e disa lojtarëve që nuk kanë marrë ftesë nga Kosova për tri ndeshjet e nëntorit në kuadër të ciklit kualifikues të Kampionatit Evropian.

Mungesa e tyre përkon më së shumti me përballjen që Dardanët e zhvillojnë të dielën ndaj Izraelit.

Kjo pasi klubet janë të angazhuara në ligat e tyre përkatëse gjatë këtij vikendi.

Përjashtim ka bërë Mallorca e Vedat Muriqit në Spanjë, që ka shtyrë takimin e këtij vikendi në La Liga.

Megjithatë, të njëjtën gjë nuk kanë mundur që ta bëjnë klubet në ligat e tjera.

Mungesë tjetër do të jetë edhe Betim Fazliji dhe Shkëlqim Vladi.

Ndërkohë, Albion Rrahmani do të jetë mungesë për ndeshjet e këtij muaji për shkak të lëndimit që pësoi pikërisht në grumbullim me Dardanët.

Përndryshe grupin I, e kryeson Rumania me 16 pikë të grumbulluara nga tetë ndeshje, Zvicra është e dyta me një pikë më pak, por me një ndeshje më pak të zhvilluar.

Në vendin e tretë është Izraeli me 11 pikë, me dy takime më pak të luajtura. Në pozitën e katërt është Kosova me shtatë sosh.

Në vendin e pesë dhe të gjashtë është Bjellorusia dhe respektivisht Andorra me vetëm dy pikë.