Futboll

Kapiteni i Rumanisë: Kosova ka ekip të fortë, do të jetë vështirë për ne

Kapiteni i Rumanisë, Nicolae Stanciu, ka thënë se përballjet me Kosovën do të jenë sfiduese. Ai ka theksuar se Kosova ka përfaqësuese të fortë.

Kosova e Rumania janë pjesë e Grupit 2 të Ligës C të Ligës së Kombeve. Në grupin e Kosovës është edhe Qipro, ndërsa më vonë do të bashkohet Gjibraltari ose Lituania. Kosova e kishte Rumaninë në grupin kualifikues për “Euro 2024”. Barazoi pa gola më 16 qershor të vitit të kaluar, ndërsa humbi në Bukuresht më 9 shtator me rezultatin 2:0. Kosova pati telashe në Bukuresht. Ndeshja ishte ndërprerë në minutën e 18-të, kur një grup huliganësh rumunë në stadium pati shfaqur panon “Kosova është Serbi”. Ndeshja nuk pati vazhduar për plot 50 minuta.

“Është një grup i ekuilibruar, sepse nëse them se është i vështirë do të krijoj sërish polemika ose njerëzit do të thonë se jemi të çmendur. Por nuk ka përfaqësuese të vogla dhe fakti që do të përballemi sërish me Kosovën e bën të vështirë grupin. Tashmë kemi luajtur me Kosovën në kualifikime dhe e dimë sa e fortë është. E dimë se sa është e vështirë të luash në Kosovë, kështu që ndeshjet me të do të jenë shumë sfiduese”, ka thënë Stanciu për mediumet rumune.

Në kampionatin e Rumanisë janë disa lojtarë shqiptarë. Ndër më të dalluarit janë Albion Rrahmani dhe Ermal Krasniqi. Të dy lojtarët janë pjesë të Rapid Bukureshtit. Së fundi janë ftuar edhe te Kosova.