Kapiteni i Brazilit: S’jemi të shqetësuar por krenarë që e kemi mundësinë për t’u përballur me Messin

Kapiteni i Brazilit, Thiago Silva, nuk shqetësohet për përballjen me Lionel Messin në duelin e së premtes kundër rivalit të përbetuar Argjentinës, por thotë se përkundrazi ndihet krenar me faktin se do ta sfidojë superyllin e Barcelonës.

Messi është rikthyer në skuadrën e Argjentinës për herë të parë që prej turneut të Kupës së Amerikës, në të cilin Brazili e mundi 2-0 Argjentinën në gjysmëfinale dhe e fitoi trofeun në fund.

Pas atij takimi kontrovers, Messi e akuzoi CONMEBOL-in për korrupsion dhe si pasojë u pezullua me katër ndeshje dhe u gjobit me 50 mijë dollarë.

Messi do të rikthehet në ndeshjen miqësore të premten në Arabinë Saudite dhe Silva parapëlqen që kjo sfidë të mos shihet me frikë por të shijohet fakti se do të përballet me njërin prej më të mirëve.

“Ne nuk jemi të shqetësuar por krenarë që e kemi mundësinë për t’u përballur me të”, tha Silva.

“Argjentina e ka yllin e vet, ne nuk e kemi tonin (Neymarin, i cili është i lënduar), por Brazili është Brazil dhe këtë e treguam me fitoren tonë gjatë Kupës së Amerikës”, shtoi ai.

loading…