Kapiteni i Boca Juniorsit, Pablo Perez ka thënë se do të ishte në rrezik jeta e tij dhe bashkëlojtarëve në rast se ndeshja e dytë në finalen e Copa Libertadores do të zhvillohej.

Përballja mes rivalëve argjentinas ishte planifikuar të luhej të shtunën e kaluar por dhuna e tifozëve të Riverit ndaj autobusit të Bocas shtyu fillimisht ballafaqimin për 24 orë e pastaj për një afat të pa përcaktuar.

Carlos Tevez insistoi se nuk kishte hapësira për t’u zhvilluar ndeshja ndërsa Perez ka thënë se frika ishte faktor kryesor në anulimin e finales.

“Nuk mund të luaj në një fushë ku e di se mund të vdes. Si mund të luash në një fushë ku nuk ka siguri. Çfarë nëse do të kishim luajtur dhe fituar? Kush do të na nxirrte jashtë? Njerëzit ishin të çmendur ende para fillimit të ndeshjes, imagjinoni nëse do të kishim fituar në fushën e tyre. Ata do të mund të më vrisnin mua. Unë kam tre vajza dhe gruan time, vajza ime e madhe filloi të qajë kur u kthevea në shtëpi”, zbuloi Perez.

Zyrtarë të dyja klubeve do të takohen sot në Paraguaj për të vendosur datën dhe vendin e zhvillimit të ndeshjes së dytë finale të Copa Libertadores.