Kapet me 3 kg drogë nga policia e Gjakovës një shtetas nga Shqipëria

Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare Perëndimi – Gjakovë, mbrëmë përmes rrugëve operative ka pranuar informacione për lëvizje të dyshimta të një veture në fshatin Botushē, në brezin kufitar me Shqipërinë. Lidhur me informacionin janë aktivizuar patrullat ku edhe kanë ndaluar automjetin VW Pasat me targa te huaja.

Gjatë kontrollit të automjetit nga zyrtarët policorë, në bagazhin e automjetit kanë vërejtur një çantë brenda së cilës kishte dy qese najloni të mbushura me substancë narkotike dyshohet të jetë e llojit marihuanë.

Lidhur me rastin “është arrestuar i dyshuari E.T., (1986) shtetas i Shqipërisë, janë sekuestruar automjeti dhe sasia e substancës në sasi 3 kg e 100 gram dhe është iniciuar rasti ‘ blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’, ndërsa me urdhër të prokurorit të lëndës i dyshuari është ndaluar për 48 orë”, thuhet në njoftim.