Ministri i Jashtëm rus

Kaos në Shkup për shkak të Lavrovit, përmendi Kosovën dhe sulmoi Perëndimin

Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov tha sot se Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) është në prag të kolapsit dhe se Perëndimi po vret shanset për ringjalljen e kësaj organizate.

Ai këtë e tha në samitin e OSBE-së që po mbahet në Maqedoninë e Veriut, raporton Reuters. Lavrov shtoi se perspektivat e organizatës janë të paqarta dhe kujtoi se organizata u shkatërrua në vitin 1999, transmeton Ballkani.info.

“Fundi i konfrontimit bipolar dukej se e bënte të pakuptimtë ekzistencën e Aleancës Atlantike. Vendet e NATO-s dhe BE-së shkatërruan dimensionin ushtarako-politik të OSBE-së. Në vitin 1999, NATO kreu një agresion brutal të pa maskuar kundër Jugosllavisë, një anëtare e OSBE-së dhe OKB-së. Dhe në vitin 2008, në kundërshtim me Rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe parimin e paprekshmërisë së kufijve në Evropë nga Akti Final i Helsinkit, Serbisë iu grabit Kosova pa asnjë referendum”, theksoi Lavrov.

Ai iu referua gjithashtu sanksioneve që Perëndimi i vendosi Rusisë në një masë të pabesueshme.

“Në një përpjekje për të shembur ekonominë ruse, Shtetet e Bashkuara dhe satelitët e saj evropianë kanë vendosur mijëra sanksione ndaj Rusisë, duke i dhënë fund bashkëpunimit të gjerë praktik midis Lindjes dhe Perëndimit në rajonin tonë dikur të përbashkët,” tha ai.

Ai shtoi se të krijohet përshtypja se BE-ja ka braktisur qëllimet origjinale të krijuesve të saj për të përmirësuar mirëqenien e vendeve anëtare dhe është kthyer, kryesisht përmes përpjekjeve të burokracisë së Brukselit, në një projekt agresiv gjeopolitik.

Mirëpo, gjatë këtij adresimi, kur Lavrov filloi të flet në gjuhë ruse, disa prej ministrave dhe anëtarëve të delegacioneve u larguan nga salla, në shenjë proteste për shkak të agresionit rus në Ukrainë.

Mes delegacioneve që u larguan janë të Ukrainës dhe Çekisë. /Ballkani.info/