Bundesliga

Kane protagonist absolut, Bayern fiton me “poker” ndaj Dortmundit

 “Bavarezët” e Bayern Munich i janë përgjigjur menjëherë kritikave, pas atij eleminimi të turpshëm nga Kupa e Gjermanisë, nga skuadra e kategorisë së 3-të, Saarbrucken, teksa mbrëmjen e kësaj të shtune kanë fituar me spektakël “klasiken” e futbollit gjeman, ndaj “verdhezinjve” të Borussia Dortmund.

Një gol i Dayot Upamecano, që në minutën e 4’-t të sfidës dhe një tripletë e “bomberit” anglez, Harry Kane, në minutat 9’, 72’ e 93’ të ndeshjes i mjaftuan kampionëve të Gjermanisë, për të siguruar një fitore të madhe, në “Signal Iduna Park”, ndaj një rivali të përjetshëm, siç janë edhe “verdhezinjtë” e Dortmund.

Falë kësaj fitoreje, djemtë e Thomas Tuchel qëndrojnë po në vendin e 2-të të tabelës, po kësaj radhe me 26 pikë, duke iu afruar edhe më shumë “aspirinave” të Bayer Leverkusen, ndërsa skuadra e Borussia Dortmund mbetet në vendin e 4-t të renditjes me 21 pikë.