Kandidati për kryeministër Enver Hoxhaj telefonatë me senatorin Bob Dole, e falënderon për mbështetjen e madhe amerikane ndaj Kosovës

Kandidati për kryeministër nga PDK, Enver Hoxhaj, përmes një telefonate që e ka pasur me senatorin Bob Dole, e ka falenderuar atë për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë popullit të Kosovës.

Kandidati për kryeministër nga PDK, njëherësh edhe kryetar në detyrë i kësaj partie, Enver Hoxhaj, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka treguar se ka zhvilluar një telefonatë me senatorin Bob Dole, të cilin e ka falenderuar për mbështetjen e madhe që i ka dhënë Kosovës gjatë gjithë jetës.

“Si kryeministër i ardhshëm e sigurova atë se, edhe në sfidat dhe proceset e ardhshme, përkushtimi ynë, përkushtimi i popullit tonë, do të jetë forcimi i partneritetit strategjik në mes të dy vendeve tona.”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook, derisa ka shpërndarë edhe një fotorafi, ku shihet bashkë me Bob Dole.

Lexoni të plotë statusin e Enver Hoxhajt:

Kisha kënaqësinë dhe nderin që gjatë një bashkëbisedimi shumë të mirë t’i uroj Vitin e Ri mikut të madh të Kosovës, ish kandidatit për president të SHBA-ve, senatorit Bob Dole. Edhe këtë herë, sikur gjatë gjithë jetës së tij, senatori Dole shprehu dashurinë e tij të madhe për Kosovën dhe urimin që të kemi një vit sa më të mbarë dhe me më shumë prosperitet. E falënderova përzemërsisht senatorin Dole për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë popullit të Kosovës. Si kryeministër i ardhshëm e sigurova atë se, edhe në sfidat dhe proceset e ardhshme, përkushtimi ynë, përkushtimi i popullit tonë, do të jetë forcimi i partneritetit strategjik në mes të dy vendeve tona. Aty ku është Amerika është edhe Kosova!