Kamishi flet për vdekjen e të afërmes së tij 7 vjeçe: E dhimbshme, Tuana vdiq në duart e atyre që duhej ta shpëtonin

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu-Kamishi, është shprehur i pikëlluar me rastin e vdekjes së 7 vjeçares.

Të ndjerën e kishte familjare, për të cilën ai shprehu dhimbje dhe ngushëllime për familjen e gjerë.

Për Haxhiun, vdekja e 7 vjeçares në duart e atyre që duhet ta shpëtonin, është thirrje për ndërgjegje dhe vetëdijësim për profesionistët shëndetësor.

Kamishi ka kërkuar nga spitalet që të trajtojnë çdo pacient, e jo vetëm ata me COVID-19.

“Vdekja e Tuanes në duart e atyre që duhej ta shpëtonin duhet të thërras në ndergjegje dhe vetëdijsim të çdo profesionisti shëndetësor, çdo bartësi institucional për peshën dhe përgjegjësinë që bartin. Tuana engjulli ynë i vogël, prehu në paqe!”, ka shkruar Haxhiu.

Ky rast ka ndodhur në ordinancën “Poliklinika CT Scanner”, që ndodhet në Ulpianë të Prishtinës. Për këtë rast ka reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë, e cila ka bërë të ditur se e mitura i ishte nënshtruar një rezonance magnetike mëngjesin e së martës.

MSH-ja ka njoftuar se Inspektorati Shëndetësor do të vazhdojë hetimet rreth këtij rasti dhe së shpejti do të hartojë raportin përfundimtar rreth të gjeturave të inspektimit.

“Inspektorati Shëndetësor vazhdon hetimet rreth këtij rasti dhe së shpejti do të hartojë raportin përfundimtar rreth të gjeturave të inspektimit në këtë rast”, thuhet në njoftimin e MSH-së.

Ndërkohë, mjeku i klinikës ku është trajtuar 7-vjeçarja, Arben Kutllovci, përmes telefonit, ka thënë se vetë familja e tashmë të ndjerës kishte kërkuar që rezonanca magnetike të bëhej me anestezion.

Statusi i plotë:

E dhimbshme vdekja e voglushës 7-të vjeçare Tuana Haxhiu.

Sot kur spitalet tona janē të mbushura me pacientë me COVID-19, përgjegjësia e Ministrisë së Shëndetësisë dhe SHSKUK-së duhet të jetë edhe ndaj pacientëve tjerë.

Reduktim dhe mos ofrimi i shërbimeve shëndetësore tjera në sistemin shëndetësor publik po i detyron qytetarët që të kërkojnë zgjidhje në sektorin privat.

Edhe prindërit e Tuanes,kushërinj të mi u detyruan që këtë shërbim ta kërkojnë në sektorin privat, por fatkeqësisht pa paragjykuar rrethanat erdhi deri të vdekja e saj.

Duke ndarë dhimbjen me prindërit e Tuanes, familjen Haxhiu dhe gjithë qytetarët e vendit, ju bëjë thirrje përgjegjësve institucional në MSH dhe SHSKUK dhe Spitalet Publike që të ofrojnë kujdes shëndetësor edhe për pacientët tjerë me kapacitet të plota, jo vetëm trajtim për COViD-19.

Përgjegjësia profesionale dhe vlera humane duhet të mbizotrojë në sektorin publik dhe privat.

Vdekja e Tuanes në duart e atyre që duhej ta shpëtonin duhet të thërras në ndergjegje dhe vetëdijsim të çdo profesionisti shëndetësor, çdo bartësi institucional për peshën dhe përgjegjësinë që bartin.

Tuana engjulli ynë i vogël, prehu në paqe!

Me dhimbje

Bekim Haxhiu