Kameramani kosovar rrëfen për çastet që kaloi në Shtëpinë e Bardhë dhe “takimin” me Trump

Kameramani i Klan Kosovës, Bardh Stublla, ka përcjell nga afër të gjitha zhvillimet në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator.

Nën emocione ai ka rrëfyer si ka arritur të futej në Shtëpinë e Bardhë dhe që indirekt të komunikonte edhe me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump.

“Kur shkuam, unë u fokusova dhe interesohesha si të arrij deri aty. I hapa sytë si të gjej kontakte, lidhje. Është dashur ta bëjë testin për COVID-19 për të të hyrë brenda. Deri aty nuk ka qenë lehtë të shkohet, s’ka qenë procedurë e lehtë”, ka thënë Stublla.

“Ishte atmosferë e veçantë që nuk e kam parë më përpara. Hyrja ishte interesante, më dukej si në ëndërr. Është dashur të kalohen dy pika të sigurimit. Atmosfera brenda ishte më ndryshe. Gjërat që ndodhin ishim dinamike. Kam qëndruar aty për 40 minuta apo një orë”.

“Kam qëlluar aty afër kur ka ardhur delegacioni serb. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ishte i tendosur. Kur dëgjoi se delegacioni kosovar po vonohej i ndryshoi disponimi. I thoshte njërës prej këshilltareve që shpërndajeni këtë laj, se kjo është e mirë për ne”.

Stublla ka thënë se Presidenti Trump iu është drejtuar gjatë kohës së pritjes se si të mbahej maska për ta luftuar virusin korona.

“Ishte person i afërt. Tip shumë interesant, shumë i çiltër. Dukej se është njeri vendimarrës”, ka deklaruar ai.